URUGUAI- RUSI LUHET PËR KREUN E GRUPIT A

0

Të dy skuadrat kanë siguruar kalimin në raundin pasardhës
Por përballja e sotme do të përcaktojë se kush do të jetë fituesi i Grupit A. Rusisë do t’i mjaftonte barazimi, duke parë se ka një diferencë më të mirë golash.

Ndërkohë, asnjë përfaqësuese e Rusisë (ose Bashkimit Sovjektik) nuk ka arritur kurrë të fitojë të gjitha ndeshjet e grupit dhe kjo do të jetë një mundësi historikë për vendasit, që ka pak mundësi t’i paraqitet atyre në të ardhmen. Këto dy kombëtare janë përballur vetëm një herë në të kaluarën, në një miqësore të barazuar 1-1, në maj të 2012-ës.

Duke llogaritur edhe ndeshjet e luajtura kundër përfaqësueses së Bashkimit Sovjetik, Uruguai ka marrë 1 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje, duke përfshirë edhe dy përballje në Kupën e Botës (1 fitore, 1 humbje).

Zakonisht, fitorja e grupit garanton një përballje të lehtë në raundin pasardhës, por kjo nuk vlen në këtë rast, duke parë se rusët dhe amerikanojugorët do të përballen me njërën mes Spanjës dhe Portugalisë në 1/8-at.

Dy janë lojtarët që duhen mbajtur nën mbikëqyrje në këtë takim: Denis Cheryshev, i cili do të kërkojë të bëhet rusi i parë që fiton Këpucën e Artë të Kupës së Botës pas Oleg Salenko (fitues bashkë me Hristo Stoichkov në 1994-ën), dhe Luis Suarez, që ka pasur pak vështirësi deri tani, por është zhbllokuar kundër Arabisë Saudite.

Shifra dhe Fakte

– Ecuria e Uruguait kundër skuadrave europiane në Botëror është: 4 fitore, 3 barazime, 6 humbje.

– Rusia nuk ka pësuar asnjë humbje në tri ndeshjet e fundit dhe pesë nga shtatë takimet e tyre të fundit kanë sjellë mbi 2.5 gola.

– Uruguai ka shënuar i pari dhe nuk ka pësuar gol në pesë ndeshjet e fundit.