UEFA/ Armand Duka zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv

0

Sot në Romë është zhvilluar Kongresi i 43-të i UEFA-s që kishte në rendin e ditës zgjedhjen e Presidentit të UEFA-s dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pozicion për të cilin kandidonte dhe Presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti Duka ka arritur të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s me 36 vota, duke marrë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane për një mandat 4 vjeçar. Një arritje shumë e madhe kjo për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar që ka arritur të kalojë kufijtë e përfaqësimit në institucionet më të rëndësishme europiane sportive. Për herë të parë në histori, futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga Presidenti Duka në qeverinë e futbollit europian.

Në këtë Kongres Aleksandër Ceferin u rizgjodh President i UEFA-s duke marrë një mandat për katër vitet në vazhdim.

Detyrat dhe përgjegjësitë e një anëtari të Komitetit Ekzekutiv në UEFA

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organizmi ekzekutiv suprem i UEFA-s. Përbëhet nga Presidenti UEFA-s dhe 16 anëtarë të tjerë, nga të cilët të paktën një femër, që zgjidhen nga Kongresi i UEFA-s, dy anëtarë zgjidhen nga Shoqata e Klubeve Europianë (ECA) dhe një anëtar që zgjidhet nga Ligat Europiane, të ratifikuara nga Kongresi, të gjithë me të njëjtat të drejta dhe detyra si të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv.