TRANSPLANTIMI I PALCËS KOCKORE, NDODH PËR HERË TË PARË NGA DHURUES JASHTË FAMILJES

0

Për herë të parë në Maqedoni është bërë transplantimi i palcës kockore tek një pacient që nuk ka lidhje familjare me dhuruesin. E ky është 22 vjeçari Filip Dimishovski.

“Kërkuam dhurues këtu por qelizat e gjakut nuk përputheshin, as me ato të vëllait tim e as nënës, andaj mjekët vendosën që të kërkojnë përmes Regjistrit Botëror që ta gjejmë dhuruesin tim”, tha Filip Dimishovski.

Dimishovski tani është në gjendje stabile por duhet të kalojë 180 ditë në kushte të veçanta deri sa organizmi i tij t’i pranojnë qelizat e dhuruara. Këtë risi drejtoresha e klinikës së hematologjisë në Shkup, Irina Panovska e konsideron hapje të një faqeje të re në historinë e mjekësisë në vend.

“Me futjen metodës së re, shëndetësia e Maqedonisë futet në hartën e qendrave botërore ku kurohen sëmundjet më të rënda të gjakut. Pacientët më nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë jashtë, përkundrazi për këtë ndërhyrje tani do të mund të drejtohen tek ne dhe kurimin ta bëjnë sa më afër familjarëve. Kështu hapet mundësia që edhe shtetasit e huaj të siguruar ta kërkojnë këtë shërbim në vendin tonë”, u shpreh Irina Panovska, drejtoreshë e klinikës së Hematologjisë – Shkup.

Në një vit mesatarisht 20 persona janë dërguar nëpër qendrat në shtete të tjera për kurim. Kjo prurje e re do të kursejë Fondin e Shëndetësisë me mijëra euro, ndërsa Drejtori Den Donçev tha se kjo nënkupton që këto para do të shkojnë në fusha të tjera ku ka nevojë.

“Transplantimi i palcës kockore është një ndër operacionet më të shtrenjta që fondi i ka financuar vitet e kaluara. Mesatarisht kushtonte nga 110-120 mijë euro ndërsa ka mund të kushtojë nga 90 deri në 220 mijë euro”, tha Den Donçev, drejtor i fondit për sigurim shëndetësor.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe. Kjo procedurë tani në mënyrë të rregullt do të jetë në dispozicion të të gjithë pacientëve që vuajnë nga sëmundjet malinje të gjakut dhe që u duhet transplantim. Në 18 vitet e fundit në Maqedoni është bërë transplantim i këtillë por vetëm nga dhurues që kanë lidhje familjare.

Përgatiti: Besir Arifi