TRADITA E MUNDJES NË STUDENIÇAN, SPORTI SHEKULLOR I SHNDËRRUAR NË TURNE NDËRKOMBËTAR

0

Pasi që u lyen me vaj, po bëjnë paradën e tyre para nisjes së dueleve. Gara fillon në disiplinën e mundjes. Por, nuk mungojnë as vallet tradicionale shqiptare. Interesimi i madh i banorëve, mbushi fushën sportive të fshatit. Janë qindra mundës që po “luftojnë” më shumë për lavdi se sa për shpërblim.

“Me këtë sport merrem qe 4 vjet, dy ose tre trajnime në ditë, varetë kur kemi përgatitje më të mëdha bëjmë nga tre, kurse në turne të thjeshta bëjmë nga një. Shpresoj të fitoj se jam përgatitur shumë”, tha Arben Abazi, Mundës.

Përderisa të rinjtë tregojnë aftësitë e tyre në mejdan, të moshuarit i vështrojnë më nostalgji. Ata thonë se ky rajon është i shquar për lojërat tradicionale që janë trashëguar brez pas brezi. Nazmiu tregon se përveç mundjes që vazhdon të mbetet simbol i sportit të Studeniçanit, më parë kanë bërë gara edhe në vrapim me kuaj, hedhje të gurit, tërheqje të litarit dhe disiplina të tjera.

 “Tradita vazhdon këtu me qindra vjet. Afër meje janë sportistë të kamotshëm që e kanë vazhduar traditën, siç po i shohni Avdulla Mehmeti dhe Xheladin Osmani. Në këtë fshat tradita vazhdon, ashtu siç e ka marr emrin edhe ky turne”, u shpreh Nazmi Aliu, Qytetar.

Ky organizim arrin koston e 500 mijë denarëve, prej të cilave 300 mijë denarë i siguron Ministria e Kulturës, kurse të tjerat Komuna dhe sponsorët. Përfaqësuesit e komunës thonë ky manifestim organizohet që na viti 2012 dhe tre fituesit nga të gjitha kategoritë do të marrin shpërblime në të holla.

“Komuna e Studeniçanit ka aplikuar me projekt për organizimin e këtij manifestimi kulturor-sportiv në Ministrinë e kulturës, i cili u miratua dh shumicën e mjeteve financiare i siguron Ministria dhe pjesën e mbetur Komuna me disa afarist lokal nga Studeniçani”, tha Burhanedin Nuhiu, Sekretar i Komunës së Studeniçanit.

 Ky manifestim është ndërkombëtar, ku përveç vendasve marrin pjesë edhe mundës nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia, thonë nga Klubi i mundjes “Studeniçani”.

 “Kategoria e pestë ka deri në 30 mundës, nga kategoria e ketër janë paraqitur deri më tani 30, përveç fëmijëve që ishte kategori për të vegjël, diku janë edhe 100 mundës të tjerë, që në numrin e përgjithshëm arrijnë 200 mundës”, u shpreh Nuri Sadiku, Sekretar i Klubit të mundjes “Studeniçani”.

Në këtë manifestim tradicional kryetari i komunës, Azem Sadiku si nikoqir priti Kryeministrin e vendit Zoran Zaev dhe kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçin.

Përgatiti: Adnan Qaili