TË RINJTË MË SHUMË I BESOJNË TELEVIZIONIT, EPOKA DIGJITALE RRËNON BESUESHMËRINË E LAJMEVE

0

Këta nxënës të shkollave të mesme janë kurioz të kuptojnë se cilat janë fazat e përgatitjes së një lajmi. Ata kanë ardhur në vizitë në TV21, ku po i udhëheq redaktori i ditës. Gjatë vizitës së tyre po transmetohej emisioni i paradites “Prite të gjelbrën”. Disa nga nxënësit u kyçën edhe live në emision. Në fillim nxënësit u njoftuan me departamentin e informacionit, vendi ku gazetarët përgatisin kronikat e tyre për lajme. Më pas vizituan hapësirën e montazhit, për të parë se si montohet një kronikë televizive. Nxënësit shfaqën dëshirë për të provuar se si moderohet një edicion lajmesh. Atyre u duket shumë interesante puna në televizion, megjithatë thonë se më shumë informohen nga interneti dhe nga portalet. Besueshmëria e lajmeve në ueb është një problem që e kanë vënë re edhe këta nxënës.

“Duke qenë se përfaqësoj gjeneratën e re, televizioni nuk është mjeti prej ku më shumë informohem, por janë portalet dhe rrjetet sociale. Mirëpo sfera e gazetarisë që përfshin portalet, nuk janë aq të besueshme, duke filluar nga lajmet e lifestyle-it ose showbiz-it deri te ato më serioze”, tha Era Memeti, nxënëse.

“Është një prej profesioneve ndaj të cilit kam shumë respekt për arsye se çdo ditë ballafaqohemi me lajme që ata na japin dhe mendoj  që janë një ndihmë e madhe për jetën tonë.  Ka edhe lajme që nuk janë të vërteteta, të cilat i hasim në internet. Duhet të vetëdijësohen të gjthë që nuk duhet të besojmë në gjithçka që lexojmë në internet ose të gjitha lajmet që na japin të gjithë gazetarët”, u shpreh Iskra Zendelovska, nxënëse.

Dy nxënëse të tjera thonë se më shumë lexojnë lajme rozë.

“Ne rinia jemi të fokusuar më shumë në Showbiz, te këngëtarët, përafërsisht ne jemi në ndijeni për ta dhe kur del diçka që nuk është e vërtetë për ta, ne sigurisht që nuk e besojmë”, tha Sejhan Ibrahimi, nxënëse.

“Kur nuk janë të bazuara në fakte lajmet, mund të them se është lajm i rrejshëm ose kur nuk ka mjaftueshëm informata, e dalloj se nuk është i saktë”, tha Isra Zeqiri, nxënëse.

TV21 iu bashkangjit nismës për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të mediave në organizimin e shkollës së lartë për gazetari. Për herë të tretë, për tre vjet, televizioni ynë ishte nikoqir i nxënësve nga disa shkolla të mesme nga Maqedonia, përkatësisht “Zef Lush Marku”- Shkup, “28 Nëntori”- Dibër, “Orce Nikollov” – Shkup dhe “Dobri Daskallov”- Kavadar. Shkolla e lartë për Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun, për herë të katërt organizon ditën e mediave për nxënësit e shkollave të mesme nga Maqedonia.

Përgatiti: Almedina Ismajli