TARAVARI PËR TRAGJEDINË NË GOSTIVAR, ZGJIDHJA KA NGECUR SHKAK I PROCEDURAVE BUROKRATIKE

0

Pas rastit tragjik të 5 nëntorit, kur në ujërat e lumit Vardar, humbi jetën 17 vjeçarja, Xhehja Mexhiti nga Gostivari, sot opinionit iu drejtua kryetari i kësaj Komune Arben Taravari. Ai i hodhi poshtë siç i quajti thashethemet, të cilat u plasuan në opinion me qëllim që ky rast, siç tha, të paraqitet si dështim i udhëheqësisë komunale. Taravari duke kërkuar respekt për familjen Mexhiti, tha se rasti ka ndodhur nga një fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga asnjë pakujdesi.

“Kjo familje ashtu si edhe ne jemi të qartë se si ka ndodhur ky rast, i cili është vetëm një fatkeqësi, fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga asnjë pakujdesi, por vetëm nga fati që luan lojëra të tilla tragjike”, tha Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Taravari gjithashtu, mbrëmë për Emisionin Click Plus, tha se pushteti lokal i Gostivarit tashmë ka filluar me vaksinimin dhe sterilizimin e qenve si dhe ka ndërtuar edhe strehimoren për qen, por e cila nuk është aktivizuar dhe për këtë sipas tij faj ka qeveria.

“Ne pasi që identifikuam numrin përafërsisht të sakt, arritëm të ndërtojmë edhe strehimore për qentë në Gostivar, por për fat të keq edhe pse këtu i kemi rregulluar të gjitha kushtet, dokumentacioni për regjistrimin e asaj, 4 muaj është nëpër labirintet qeveritare.

“Jemi e vetmja komunë shqiptare  që kemi nisur  me trajtimin profesional në kuptimin e sterilizimin e qenve”, u shpreh Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit

I revoltuar nga moszgjidhja e problemit arianit Xhaferi nga Eko Goerilla propozoi një metodë se si të shpëtojmë nga qentë endacak.

“Qytetarët vet t’i kapin qentë dhe t’i lidhin përpara komunave, ose t’i fusin brenda komunave dhe pastaj le të merret komuna në këtë mënyrë me këto qenë, për shkak se derisa nuk janë të aftë që t’i largojnë ato qenë nga rruga, t’i ndërtojnë ato pika strehimi, t’i trajtohen në mënyrën e duhur siç parashohin rregullat evropiane, atëherë e mira e smirës është që le t’i mbajnë ato qenë nëpër zyrat e tyre dhe le të kënaqen”, tha Arianit Xhaferi – Eko Guerilla.

Ndryshe Prokuroria publike ende është duke hetuar për rastin në të cilin humbi jetën 17 vjeçarja, Xhehja Mexhiti. Sipas Taravarit, në konferencën për media bashkë me të duhej të jetë edhe babai i Xhehjas, por sipas tij ai për më shumë se tre orë është mbajtur në polici për të dhënë deklaratë në lidhje me hetimin r rastit.

Përgatiti: Artan Nuhiu