SULMET AJRORE NË SIRI, LAVROV: “RUSIA NUK KA NDËRHYRË NË ZONËN E SULMIT KIMIK”

0

Në një intervistë për BBC-në, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se “garanton se Rusia nuk është ngatërruar në këtë çështje”. Ai i bëri këto komente ndëkohë që mbikëqyrësit e armëve kimike mbajtën një takim urgjent lidhur me sulmin e pretenduar. Takimi i mbikëqyrësve të armëve kimike në Hagë po mbahet prapa dyerve të mbyllura, por Rojters citoi ambasadorin amerikan Kenet Uard të ketë shprehur shqetësim se forcat ruse mund të kenë ndërhyrë tek dëshmitë lidhur me sulmin.

Në zhvillime tjera lidhur me ndërhyrjen ushtarake perëndimore në Siri, kryeministrja e Britanisë Tereza Mej është përballur me ligjvënësit britanikë të cilëve u ka shpjeguar vendimin për të kryer sulme ajrore në Siri pa miratimin e parlamentit. Qeveria britanike ndonëse nuk ësht e obliguar të marrë miratimin e parlamentit për sulme të tilla, rëndom merr qëndrimin e ligjvënësve. Ajo në këtë përballje ka ripërsëritur qëndrimin e saj se sulmet janë ndërmarrë në mbrojtje të interest kombëtar të Britanisë dhe për të ndalur vuajtjen nga sulmet kimike.

Presidenti francez Emanual Makron, vendi i së cilit u përfshri në ndërhyrjen ushtarake në Siri, tha se e ka bindur presidentin amerikan Donald Tramp që të mos i tërheq trupat amerikane nga Siria edhe për një kohë. Komentet e tij në njëfarë mënyre i ka hedhur poshtë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, sipas së cilës misioni amerikan në Siri nuk ka ndryshuar dhe se presidenti ka bërë të qartë se ai do që forcat amerikane të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por, ajo shtoi se SHBA është e përcaktuar të thyejë tërësisht ISIS dhe të pengojë rikthimin e tij.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në anën tjetër kanë bërë të qartë se nuk do t’iu bashkohen Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë apo Sirisë për sulmet me armë kimike. Shtetet e Bashkuara pritet të nisin sanksione të reja ekonomike në Rusi, kryesisht për kompanitë që supozohet se kanë qenë të lidhura me armët kimike.