SULM TERRORIST NË ZELANDËN E RE, VRITEN 49 PERSONA GJATË NAMAZIT TË XHUMASË NË XHAMI

0

Me gjakftohtësi, me këngë e cila madhëron Radovan Karaxhiqin, me veturën e tij të mbushur me armë, 29-vjeçari Brenton Tarant, së pari ka bërë disa xhiro, e pastaj ka kryer masakrën. Gjithçka ka incizuar dhe publikuar në rrjetet sociale. Është parkuar afër hyrjes së xhamisë, i ka marrë pushkët dhe ka filluar të qëllojë drejt besimtarëve të cilët kishin ardhur për faljen e namazit të xhumasë. Sipas raporteve të policisë, ai ka vrarë 49 persona dhe ka lënduar dhjetëra të tjerë.

“Pashë një pushkë në dysheme. Policia u ndal këtu. Kishte shumë të vrarë dhe të lënduar. Ishin rreth 145 persona. Unë u ndala, pastaj u dëgjua një e shtënë. Kur e dëgjova të shtënën e dytë, ika. Kishte shumë njerëz në dysheme. U dëgjua se e shtëna vinte nga drejtimi i derës. Vrapova pas xhamisë. Ula prapa kontejnerit dhe u lajmërova në polici”, tha një dëshmitar.

Taranti ka qenë ekstremist i së djathtës, me ideologji radikale anti-imigrant. Pas aktit terrorist, tentoi të ikë me makinën e tij, por policia e kapi në kohë. Ai që nesër do të nxirret para Gjykatës.

Numrin zyrtar të të vrarëve dhe të lënduarve, e bëri me dije policia.

“Në xhaminë Deks Avenija (Al Nur Xhamia) tani për tani e dimë se 41 persona kanë humbur jetën, kurse në Xhaminë e Lunvidit, 7 persona. Një prej 40 personave që janë trajtuar në spitalin në Krajsçërç, ka vdekur. Prandaj, numri i përgjithshëm i atyre që kanë vdekur në këtë ngjarje të tmerrshme është 49”, theksoi Majk Bush, Shef i Policisë.

Kryeministrja e Zelandës së Re, thotë se katër persona janë arrestuar si të dyshuar për sulmin terrorist. Në veturat e tyre është gjetur edhe material eksploziv. Besohet se e gjithë ngjarja është planifikuar paraprakisht.

“Është e qartë se kjo tashmë mund të përshkruhet vetëm si sulm terrorist. Nga ajo që e dimë, duket se gjithçka ka qenë planifikuar. Në veturat e të dyshuarve janë gjetur dy pajisje shpërthyese. Aktualisht, katër persona janë arrestuar, tre prej të cilëve kanë të bëjnë me këtë ngjarje. Njëri prej tyre publikisht ka deklaruar se janë lindur në Australi. Bëhet fjalë për njerëz, për të cilët do të thosha se kanë qëndrime ekstremiste të cilat nuk e kanë vendin as në Zelandën e Re, e as në botën në përgjithësi”, deklaroi Kryeministrja e Zelandës së Re, Xhasinda Ardern.

Ngushëllime arritën nga të gjitha vendet e botës. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të cilit, autori i kësaj masakre, Brenton Tarant, i është kërcënuar përmes rrjeteve sociale, paralajmëroi se nëse vendet perëndimore nuk ndërmarrin masa më rigoroze, sulmi i këtillë në Zelandën e Re sërish mund të përsëritet.

Ai i ftoi fuqitë botërore që të ndërmarrin masa urgjente kundër terrorizmit, i cili, siç pohon Erdogani, e rrezikon njerëzimin. Pas faljes së xhumasë, në qytetin turk Dijarbakir u mbajt protestë. Qindra besimtarë vërshuan rrugët në shenjë revolte për atë që ndodhi në Zelandën e Re. Protesta pati edhe në disa vende të tjera me shumicë myslimane. Ata i akuzuan vendet perëndimore, duke pohuar se nuk bëjnë asgjë për t’i mbrojtur myslimanët. Dërguan mesazhe se kjo është akt terrorist, e jo veprim i një njeriu që ka probleme mendore.

Përgatiti: TV21