SPECIALJA HAP LËNDË TË RE, HETOHET PRIVATIZIMI I “BANKËS POSTARE”

0

“Banka Postare” është lënda e re hetimore që ka hapur Prokuroria Publike Speciale. Hetimi financiar ka të bëjë me larje parash dhe vepra të tjera penale në kohën kur Kryeministër ka qenë Lupço Georgievski, zëvendëskryeministër Marjan Gjorçev , ndërsa Nikolla Gruevski ministër i financave. Në këtë rast janë të përfshirë 9 persona, që në periudhën 2001-2010 në mënyrë të paligjshme kanë përfituar mjete në vlerë rreth 5 milion euro.

 “Hetimi përfshin disa raste të ndërlidhura për vepra të kryera penale – larje parash dhe vepra të tjera të dënueshme sipas nenit 273 ku përfshihen 9 persona Kole Smileski, Tome Gllavçev, Ratko Dimitrovski, Vikica Popovski, Georgi Karatolis, Kiril Janevski, Zoranço Mitrovski, Risto Milev dhe Zllatko Gjorçev” njoftuan nga Prokuroria Publike Speciale.

Personat që sot u morën në pyetje në Gjykatën Themelore Shkupi 1  janë Ratko Dimitrovski – pronar i shtypshkronjës “Evropa 92” dhe ish-kryetar i komunës Koçan (VMRO-DPMNE), Tome Gllavçev – pronar i “Noel Eksport Import”, Kole Smilevski – Drejtor ekzekutiv i “Bankës Postare”.

Sipas hetimit, në fillim të 2001-shit, Georgievski, Gorçev dhe Gruevski me qëllim që ta kontrollojnë funksionimin faktik të “Bankës Postare”, kanë organizuar që në themelimin e bankës, krahas “Postës së Maqedonisë” të marrin pjesë edhe persona juridikë që ata i kanë zgjedhur – “Noel Eksport-import” të Gllavçevit dhe shtypshkorjnjën “Evropa 92” të Dimitrovskit dhe jo me mjetet e tyre, por me me para të kredive si kapital bazë që është në kundërshtim me ligjin për banka. Ata më pas kreditet për themelimine bankës postare i kanë paguar me kredi të marra nga banka postare gjë që u ka mundësuar drejtori gjeneral i bankës Kole Smilevski.

Hetimi ndaj tyre përveç larjes së parave, përfshin edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit vepër e ndëshkueshme sipas nenit 353 të Kodit Penal. Megjithatë për shkak të vjetrimit të kësaj vepre, nga ndjekja penale shpëtojnë ish-kryeministri Lubço Georgievski, zëvendësi i tij Marjan Gjorçev dhe ish-ministri i financave Nikolla Gruevski. Megjithatë kjo nuk vlen edhe për Tome Gllavçevin dhe Ratko Dimitrievskin, sepse ata akuzohen edhe për larje parash.

Për këtë hetim nuk kanë munguar reagimet e dy ish-kryeministrave. Ljubço Georgievski përmes Facebookut ka mohuar çfarëdo lidhje me veprën penale.

 “Të gjithë të akuzuarit e tjerë e kanë mohuar se asnjëherë me mua nuk kanë pasur ndonjë bisedë për privatizimin e “Bankës Postare”. Edhe atëherë para PPS edhe tani para opinionit deklaroj se nuk kam asnjë lidhje me privatizimin e  “Bankës postare” e aq më pak me veprën e dytë për të cilën i akuzojnë”, tha Lubço Georgievski ish-kryeministër.

 Nikolla Gruevski, atë kohë ministër i financave, në profilin e tij në Facebook  ka shkruar se edhe pse nuk përfshihet në hetim, ka ironizuar me Prokurorinë Speciale duke shkruar se ajo e ka përmendur emrin e  tij që lënda të duket më atraktive.

PËRGATITI: BESIR ARIFI 

KAMERA: BENJAMIN HOXHA 

MONTAZHI:SEZER SALIHU