“S’KA RIKONSTRUIM POR ROKADA TË MINISTRAVE”, ZAEV: NUK KA MIRËKUPTIM AS PËR MOSREALIZIM PLANESH

0

Kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk e ka ndër mend të bëjë rikonstruim të kabinetit qeveritar, aq më pak para proceseve parlamentare që e presin politikën e vendit, megjithatë nuk e përjashton mundësinë që të ketë ndryshim të disa ministrave.

“Gazetari: S’ka rikonstruim por ndryshim të ministrave do të ketë?

Zaev: Po, me shumë gjasa po”.

Për Këtë Zaev thotë se ka biseduar edhe me parterët e koalicionit me të cilët ndajnë përgjegjësinë e qeverisjes. Nëse ndonjë ministër nuk vjen në Qeveri është e logjikshme, shtoi Zaev, që kabineti të mblidhet dhe të diskutojë zëvendësimin e tij. Mirëkuptim nuk do të ketë as për mosrealizimin e projekteve për zhvillim kapital të vendit.

“Nëse diku nuk kemi efekte, e dimë se si. Kam folur me ministrat, mosrealizimi i investimeve kapitale ka dy hapa: e para, t’i marrin paratë dhe t’i drejtojmë në vend tjetër, me rebalancin këtë e bëmë. Hapi i dytë është përgjegjësia politike. Unë e kuptoj, shërbimet përkatëse kanë frikë nga nënshkrimet, ka çështje të pazgjidhura pronësore-juridike, ka projekte që nuk janë përfunduar, të gjithë këtë e kam të qartë dhe e mirëkuptoj, por as unë e as qytetarët nuk do ta mirëkuptojmë nëse nuk do t’i realizojmë programet, buxhetin, veçanërisht zhvillimin kapital të Republikës së Maqedonisë, sepse të gjithë jemi përkohësisht këtu, patjetër të mbajmë përgjegjësi”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë në një emision debutues foli për riformatim ose zëvendësim të mundshëm të ministrave. Sipas Ahmetit deri më tani nuk është biseduar për rikonstruim, por siç shtoi, nuk do të bëhej kiameti edhe sikur të flitej për këtë mes partnerëve të koalicionit. Shumëçka lë për të dëshiruar, tha Ahmeti por shtoi se mendon se gjërat kryesore kanë lëvizur në drejtim të mirë.

TV21 dje nga burime të tij mësoi se seanca qeveritare e së martës ka kaluar në atmosferë të nxehtë. Madje sipas të njëjtit burim, Ministri i Financave Dragan Tevdovski ka drejtuar vërejtje në adresë të zëvendëskryeministrit Koço Angjushev në lidhje me procedurat për ndërtimin e autostradave. Por zëvendëskryeministri për çështje ekonomike e mohon këtë.

“Jo, diçka të tillë nuk kishte në seancën qeveritare, këto janë informacione të gabuara”, u shpreh Koço Angjushev, Zv/Kryemiinstër për Çështje Ekonomike.

TV21, dje nga burime të tij mësoi se janë disa emra që përfliten për t’u zëvendësuar. Mes dy zëvendëskryeministra, Koço Angjushev dhe Hazbi Lika i cili tashmë një kohë të gjatë nuk shkon nëpër seanca qeveritare. U përpoqëm ta kontaktojmë zëvendëskryeministrin Lika, por i njëjti nuk iu përgjigj mesazheve tona. Sipas burimeve, ministrat që mund të zëvendësohen për shkak se s’kanë treguar rezultate në punët e tyre janë edhe Ministri i Financave Dragan Tevdovski, Ministri e Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugarevski, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu si dhe Ministri pa resor Adnan Qail.

Përgatiti: Besir Arifi