SINADINOVSKI PROMOVON LIBRIN “SKËNDERBEU”, POROSIT MAQEDONASIT TË NJIHEN ME FIGURËN E SKËNDERBEUT

0

Nga figura në kopertinë mund të kuptohet përmbajtja e librit. Literaturës shqiptare iu shtua edhe një libër për jetën dhe veprën e Skënderbeut. Kësaj radhe shkrimtari, akademiku Branisllav Sinadinovski ka vendosur ta gjallëroj figurën e heroit kombëtar, shqiptar. Rastësisht libri i tij përkon me 550 vjetorin e lindjes së Skënderbeut. Sinadinovski e nxjerr Skënderbeun me rrënjë që nga e kaluara e largët e tij, duke përshkruar të parët e tij në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ai shkruan për origjinën, kulturën, gjuhën, zakonet, virtytet dhe e paraqet natyrshëm edhe trimëritë e të parëve të tij. Sipas shkrimtarit, kapitulli i fundit është më i rëndësishmi, ngase përbëhet nga porosi të lëna nga Skënderbeu.

“Pjesa më e rëndësishme e librit është ajo e fundit, porositë që i ka lënë. Që edhe sot ne i përjetojmë dhe nëse jemi të zgjuar, duhet të nxjerrim mësim nga ato porosi. Sot, Maqedonia ka nevojë për porosi”, tha Branisllav Sinadinovski, shkrimtar.

Në promovimin e librit, Branisllav Sinadinoski tha se emri dhe vepra e Skënderbeut duhet të riaktualizohen në Maqedoni. Sipas tij, tërë bota ka shkruar me mijëra libra dhe vepra të tjera artistike, kurse Maqedonia nuk merret me figurën e Skënderbeut.

“Emri dhe vepra e tij duhet të riaktualizohen posaçërisht në Maqedoni. Sepse ai për Maqedoninë ka bërë shumë. Sot, në këtë kaos maqedono-shqiptaro-ballkan, ndihet nevoja e ripërtërirjes së vizioneve të Skënderbeut”, tha Sinadinoski.

Me plot fakte dhe argumente, Sinadinovski e paraqet komunikimin gjuhësor të kohës së Lekës së Madh dhe raportet mes popujve e këtyre hapësirave. Ndryshe libri “Skënderbeu”, nga Akademiku Branisllav Sinadinovski, u promovua sot në Qendrën Informative Kulturore.

Përgatiti: Almedina Ismajli