Shtatë të vdekur në një minierë thëngjilli në Kinë

0

Mediet shtetërore kanë raportuar se shtatë minatorë kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në një aksident të ndodhur në një minierë thëngjilli në pjesën jug-perëndimore të Kinës. Aksidenti ndodhi rreth orës gjashtë të mbrëmjes pasi një rrip që bart thëngjill u këput, duke bërë që të rrëzohej një shtyllë mbështetëse.

Aksidenti ndodhi në komunën Chongqing, ndërsa tre të lënduarit u dërguan me urgjencë në spital për trajtim të mëtutjeshëm. Shkaktari i vërtetë i aksidentit është akoma duke u hetuar. Aksidentet me viktima në miniera janë mjaft të shpeshta në Kinë, ku industria ka kushte të dobëta sigurie, pavarësisht përpjekjeve shtetërore për t’i përmirësuar kushtet e prodhimit të thëngjillit dhe për t’i mbyllur minierat ilegale.

Në tetor të këtij vitit, 21 minatorë humbën jetën në provincën Shandong, pasi shtypja e lartë në minierë e kishte shkaktuar thyerjen dhe rënien e gurëve, me ç’rast ishte bllokuar tuneli për dalje dhe i kishte ngujuar minatorët. Vetëm një minator ishte shpëtuar i gjallë nga ky aksident. Kina është prodhuesja më e madhe e thëngjillit në botë. Vetëm gjatë vitit 2017, raportohet se në miniera të thëngjillit në Kinë e kanë humbur jetën 375 minatorë, shkruan “The Guardian”.