Shkolla 25 Maji në Hasanbeg, 4 vjet kërkon t’i ndërrohet emri

0

Shkolla fillore “25 Maji” në Hasanbeg tashmë nga viti 2014 ka dërguar iniciativë në Komunën e Gazi Babës për ndryshimin e emrit. Nga “25 Maji” shkolla duhet të riemërohet në “ 22 Nëntori”, datë e cila përkon me historinë shqiptare. Ndonëse zyrtarisht ajo vazhdon të quhet “25 Maji”, në përdorim jozyrtar ajo tanimë njihet si shkolla fillore “22 Nëntori”. Drejtori i kësaj shkolle Fadil Murtezani thotë se në bisedat e fundit me komunën, kryetari Boris Georgievski ka thënë se nuk i ka votat e mjaftueshme. 14 vota janë të VMRO-DPMNE-së, 12 vota të LSDM-së dhe 1 votë është e BESËS. Por Murtezani thotë se nuk beson se kjo është pengesë. Sipas tij VMRO-DMNE ka dhënë pëlqim për ndryshimin e emrit, mirëpo punën po e zvarrit Komuna e Gazi Babës.

“Me kryetarin e komunës vazhdimisht jemi në bisedime. Nuk është kundër, mirëpo nuk e di pse nuk e vendos renditjen në këshill komunal, duke u bazuar në atë se nuk i ka votat. Janë 14 vota të VMRO-DPMNE-së, 12 vota të LSDM-së dhe 1 votë është e lëvizjes BESA. Këtu e sheh arsyen por unë mendoj se nuk është kjo arsyeja, sepse nuk ka kundërshtim edhe nga ana e VMRO-së, sepse edhe kryetari i mëparshëm ka qenë dakord me këtë emër, por nuk e di përse nuk jepet pëlqimi nga komuna që të vazhdojmë procedure”, tha Fadil Murtezani – drejtor i shkollës “25 Maji”.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi nuk dha përgjigje konkrete nëse shkollës do t’i ndryshohet emri ose jo. Ai tha se nuk dëshiron të krijojë tensione.

“Arsimi, objektet shkollore, emrat e shkollave dhe arsimimi i fëmijëve tanë, nuk duhet të jenë çështje të politikave ditore dhe krijimit të tensioneve. Emrat e shkollave duhet të reflektojnë vullnetin e komunitetit ku graviton ajo shkollë, duhet të reflektojë vullnetin e menaxhmentit, kolektivit të asaj shkolle, nxënësve dhe prindërve e kështu me radhë”, u shpreh Arbër Ademi – Ministër i Arsimit.

TV21 ka kërkuar dhe pret përgjigje edhe nga Komuna e Gazi Babës, për çështjen e emrit të shkollës “25 Maji”.

Ndryshe gjatë vizitës së sotme në Shkollën fillore “Vasill Gllavinov”, ministri i Arsimit tha se për investime kapitale për rikonstruimin e shkollave dhe sallave për këtë vit është ndarë buxhet prej 2.4 miliard denarësh.

Përgatiti: Almedina Ismajli