Shfuqizimi i mundshëm në vitin 2020? S’është e vërtetë se nuk duhet vizë për në Gjermani

0

Nuk është e vërtetë se nga 1 janari i këtij viti, më nuk do të ketë nevojë për viza pune apo turistike për të qëndruar në Gjermani. Pas pyetjeve të shumta pikërisht mbi këtë temë nga ana e shikuesve tanë, nga Ambasada Gjermane në Shkup, morëm këtë përgjigje:

“Lajmërimet për një ligj të ri që do të hyjë në fuqi nga 01.01.2019 dhe se qytetarëve që vijnë nga  vendet të cilat nuk janë anëtare të BE-së do t’u mundësojë të punësohen në ndonjë vend të BE-së me kushtet e njëjta si qytetarët e vendeve-anëtare të BE-së, nuk janë të sakta. Qytetarëve që vijnë nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, si deri më tani, ashtu edhe pas 01.01.2019, në Gjermani do t’u duhen viza pune të vlefshme”, thanë nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup.

Biseduam edhe me disa qytetarë që kanë aplikuar për vizë gjermane. Për shkak të interesit të shtuar, disa presin edhe nga gjysmë vit. Disave u kërkojnë të kenë njohuri të gjuhës gjermane, disave jo, varësisht nga lloji i punës për të cilën do të angazhohen. Lidhur me vizat, sipas informatave që i morën, presin që në vitin 2020 të miratohet Ligji i cili do të ofrojë lehtësim dhe shfuqizim të vizave.

ANKETË:

-Çka mendoni për spekulimet se nga 1 janari nuk do të ketë nevojë për viza pune? A keni ndonjë informacion?

-Patëm, por kjo nuk ishte zyrtarisht. Nuk është e vërtetë.

-A ju kërkojnë vizë pune?

-Po, na kërkojnë.

-Sa kohë pritni për vizë?

-Dy muaj.

-A duhet të plotësohet kushte të caktuara, si është njohuria e gjuhës apo diçka tjetër?

-Këtu jo, atje po, varet nga puna.

-A keni informacione se kur duhet të zbatohet ky ligj?

-Jozyrtarisht, flitet nga fillimi vitit 2020.

 

-A keni dëgjuar për spekulimet se nga 1 janari edhe pa vizë pune do të mund të punohet në Gjermani?

-Nuk është e saktë. Aq sa di unë, nuk është e vërtetë. Edhe nga Ambasada thanë se nuk është e vërtetë.

-Për të cilën herë tentoni të merrni vizë? A është procedurë e lehtë?

-Është hera e parë, por pres tashmë 4 muaj. Mendoj se është e lehtë, pse jo.

-A ka kushte të veçanta, të dihet gjuha gjermane apo diçka tjetër?

-Jo. Te unë nuk është e nevojshme.

 

-Çka mendoni për atë se nga 1 janari do të mund të punohet në Gjermani edhe pa vizë pune?

-Nuk e di.

-A shkon lehtë procesi i marrjes së vizës?

-Mendoj se po.

-A duhet plotësuar kushte të caktuara?

-Po, duhet të kihet njohuri të gjuhës gjermane. Duhet pasur certifikatë zyrtare.

-Sa kohë pritni për vizë?

-Dy muaj e gjysmë.

 

Qeveria gjermane, në dhjetor vitin e kaluar miratoi ligj të ri për t’i zbutur kriteret dhe për t’i thjeshtësuar procedurat për punëtorët që as nuk janë gjermanë, e as nuk vijnë nga vendet e BE-së. Megjithatë, ky propozim-ligj e kaloi vetëm seancën qeveritare, kurse në Parlamentin gjerman duhet të mbahet debat. Edhe pse ka mendime dhe pikëpamje të kundërta mes politikanëve gjermanë, megjithatë pritet që Parlamenti të japë dritë jeshile për ligjin në fjalë. Vetëm atëherë, edhe zyrtarisht do të hyjë në fuqi, kurse sipas pritjeve më optimiste kjo do të duhet të ndodhë në fillim të vitit 2020.

Përgatiti: Aleksandra Velinova