SHËNOHET 106 VJETORI I ÇLIRIMIT TË SHKUPIT, ASANI: SKENDERBEU, DEMAÇI E PRISHTINA, SHTYLLAT E KOMBIT

0

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve shënoi 106 vjetorin e çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë. Me këtë rast, ky institut organizoi një sërë aktivitetesh ditore ku morën pjesë figura të shquara atdhetare dhe politike nga vendi dhe Kosova. Drejtori i ITSHKSH-së Skender Asani tha se historia e kombit shqiptar është e pasur dhe përplot me vepra madhështore të shumë veprimtarëve, ndërsa veçoi tre veprimtar që ai i quajti shtylla të kombit.

“Ka disa momente, disa personalitete që janë të veçantë dhe që kanë ndërtuar identitetin tonë kombëtarë. Shtyllat kryesore të historisë tonë kombëtare janë tre personalitete, Gjergj Kastriot Skenderbeu, Hasan Prishtina dhe Adem Demaçi”, tha Skender Asani – Drejtor i ITSHKSH-së.

Në ngjarjen kryesore ishin të pranishëm edhe anëtarë të afërt të familjeve të Hasan Prishtinës e Adem Demaçit. Atyre iu dhurua mirënjohje  për “Afirmimin dhe kultivimin e ideve Hasaniste” të zhvillimit kombëtarë. I biri i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi theksoi se ngjarjet si këto e mbajnë gjallë bacën Adem edhe pas vdekjes. Ndërsa Mehmet Prishtina, familjar i Hasan Prishtinës tha se te gjithë duhet të punojmë në frymën e heronjve tanë.

“Faleminderit për këtë nderim që i bëhet prindit tim, por edhe babës tonë shpirtëror, bacës Adem. Unë këtu nuk kam mundur që ta sjellë bacën Adem, sepse baca Adem ka vdekur fizikisht, mirëpo kjo është këmisha e bacit Adem”, u shpreh Shqiptar Demaçi – djali i Adem Demaçit.

“Ne padyshim duhet të jemi të gjithë Hasanist dhe nuk mbetet asgjë tjetër veçse të punojmë të gjithë në frymën e Skënderbeut, Hasan Prishtinës dhe të Adem Demaçit dhe ta vazhdojmë këtë rrugë që ata na e kanë transmetuar”, tha Mehmet Prishtina – familjar i Hasan Prishtinës.

Me rastin e shënimit të ditës së sotme, u bënë nderime te shtatorja e Hasan Prishtinës në Shkup dhe te shtatorja e Isa Boletinit në Saraj. Ndryshe, më 12 gusht të vitit 1912, mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, në krye me Hasan Prishtinën, Isë Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ali Shkupin, Memet Tetovën dhe të tjerë,  përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga sundimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bojanocin, Tetovën,  Kërçovën, Gostivarin, Kumanovën si dhe kryeqendrën e Dardanisë dhe të Kosovës, Shkupin.

Përgatiti: Bajram Memeti