RAMIZ MERKO ME MAKINË TË RE, 114 MIJË EURO PËR KATËR MAKINA TË KOMUNËS

0

Komuna e Strugës nga buxheti i saj ka ndarë  114 mijë euro për blerjen e 4 makinave të tipit Shkoda dhe Audi. Vetura e Merkos “Audi A6”, limuzinë me katër dyer, kushton rreth 66.700 euro. Ndërsa “Shkoda Oktavia”, limuzinë me pesë ulëse, në vlerë prej 18.700 euro, si dhe dy “Shkoda Rapid”, gjithashtu limuzina me pesë ulëse, të cilat kapin vlerën me nga 14.205 euro për makinë. Kryetari i komunës, Ramiz Merko, thotë se u detyruam t’i blejmë këto makina për funksionim normal të administratës komunale.

“Përafërsisht mos më kapni për fjale, rreth 114 mijë euro. Kjo ishte nevojë e kohës, sepse makinat që ishin momentalisht ishin të bllokuara të avarisura. Nuk ishin funksionale të 6 makinat të cilat ekzistonin. Për atë u detyruam të marrim makina të reja dhe atë tre makina Skoda dhe një Audi A6. Ata u morën me tender e cila u hap në vitin 2018 dhe i njëjti mbaroi në këtë vit dhe nga dhjetori e këndej i kemi 4 makinat në dispozicion si dhe makinat e vjetra u hapen tender për t’i shitur”, deklaroi Ramiz Merko, Kryetar i Komunës së Strugës.

Nga ana tjetër, borxhi i komunës është ende i madh.

“Ajo është gjë irrelevante sepse buxheti vetanak vjen rreth 6 apo 7 milon euro dhe dotacionet janë rreth 6 milon euro apo diku 13 apo 14 milon euro. Borxhet të cilët u trashëguan ishin rreth 4 milion e gjysmë , ku gjysmat i shlyu qeveria dhe tjerat ne si komunë nga buxheti vetanak”, theksoi Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Marrëveshja për furnizimin e makinave luksoze është arritur më 28 nëntor të vitit të kaluar, sot është publikuar në uebfaqen e Byrosë për furnizime publike.

Përgatiti: Zimer Jashari