Pudra e bebeve “J&J” me përbërës kanceroz, kompania e dinte prej vitit 1971

0

Aksionet e “Johnson & Johnson” kanë rënë me më shumë se 10 për qind, pasi agjencia e lajmeve Reuters raportoi se gjiganti farmaceutik amerikan ishte në dijeni të pranisë së asbestit në pudrën e saj për bebe për dekada të tëra.

Raporti vjen ndërsa kompania përballet me mijëra padi ligjore, që pretendojnë se produktet e saj kanë shkaktuar kancer. Sipas Reutersit, kompania ka qenë në dijeni të pranisë së asbestit në produktet e saj, të paktën që nga viti 1971.

Sidoqoftë, avokatët e saj kanë thënë se pudra për bebe e kompanisë është e sigurt dhe nuk përmban asbest. Artikulli i Reutersit, sipas tyre, është i njëanshëm, jo i vërtetë dhe ngjason me një teori konspiracioni, shkruan Tch.

Konsensusi shkencor, sipas tyre, është se pudra e përdorur si bazë në një numër produktesh nuk shkakton kancer, pavarësisht përbërjes së saj. Reutersi ka shqyrtuar dokumentet e “Johnson & Johnson”, të paraqitura në kuadër të proceseve gjyqësore, shumë prej të cilëve janë siguruar përmes urdhrave të gjykatës.

Dokumentet tregonin se, të paktën nga viti 1971 deri në vitet 2000, testet e brendshme të kompanisë kishin gjetur sasi të vogla asbestit në pudër. Çështjet ligjore kundër “Johnson & Johnson” kanë qenë të përziera. Në korrik, kompania u urdhërua të paguante 4.7 miliardë dollarë dëme për 22 femra, që pretendonin se produktet e saj të pudrës i kishin zhvilluar kancerin në vezore.