PUBLIKOHET RAPORTI PËR AKMIS, RIBAREV PRANON SE LËNDËT U SHPËRNDAN “NË DORË”

0

https://youtu.be/xpSNWNeHBT8

Pas më shumë se gjysmë viti pasi  u përpilua, Ministria e Drejtësisë e deklasifikoi Raportin në lidhje me mënyrën se si është përdorur sistemi i njohur si AKMIS, përmes të cilit në mënyrë elektronike po shpërndaheshin lëndë nëpër gjykatat. Në dokumentin, në disa vende përmendet emri i gjykatësit Stojançe Ribarev, i cili në periudhë prej marsit deri në tetor të vitit 2017 ka qenë ushtrues i detyrës kryetar  të Gjykatës Penale të Shkupit. Në këtë gjykatë u konstatua se me ndryshimin e shpeshtë të orarit, është ulur numri i gjykatësve të cilët ishin përfshirë në shpërndarjen automatike të lëndëve dhe rishpërndarjen e lëndëve nga njëri tek një gjykatësi tjetër.

“Gjatë regjistrimit të lëndëve nën kompetencat e gjykatësit të procedurës paraprake dhe të Këshillit Penal në repartet për të rriturit që janë kriminelë dhe për krim të organizuar, nuk është përdorur moduli për shpërndarjen automatike në Gjykatë, nuk janë kurdisur  parametrat për shpërndarjen automatike të lëndëve në të gjitha regjistrimet paraprake, kurse shpërndarja e lëndëve është bërë në dorë, të cilën u.d. kryetari i gjykatës, Stojançe Ribarev, e quajti AKMIS-i i dyfishtë”, Raporti i AKMIS.

Nën pikëpyetje janë edhe Raportet vjetore për punën e Gjykatës, duke pasur parasysh se 860 lëndë fare nuk janë sistemuar tek gjykatësit. Gjykata e Apelit nuk ka ndonjë vërejtje serioze, kurse tek Gjykata Supreme janë konstatuar 9 ndryshime në orarin gjatë vitit të kaluar, që janë të dyshimta.

“Me ndryshimet e shpeshta të orarit vjetor për punën e Gjykatës, po ndikohet mbi përbërjen e Këshillave që vendosin për lëndët, që shkakton shpërndarje në dorë të lëndëve. Për shpërndarjen e lëndëve ka vendim të shkruar nga kryetari i Gjykatës, por i njëjti nuk është në pajtueshmëri me dispozitat e Rregullores Gjyqësore. Në këtë mënyrë, zgjedhja e rastësishme e një gjykatësi përmes shpërndarjes automatike të lëndëve, po suspendohet dhe në vend të zgjedhjes së rastësishme të gjykatësit, rezultati i fundit është zgjedhja e pritur e gjykatësit”, AKMIS.

Ky Raport një periudhë më të gjatë po shqyrtohet edhe në Këshillin Gjyqësor. Kryetar i këtij Këshilli, Zoran Karaxhovski ende është në qëndrim se raporti në fjalë përmban pretendime paushallë dhe të padëshmuara.

“Pa asnjë provë raportet po dorëzohen, kështu që Komisioni ynë punon me shumë mund për ta vërtetuar nëse disa prej pretendimeve në atë raport, janë të vërteta. Nuk përmendet asnjë emër, asnjë lëndë se është shpërndarë jashtë AKMIS-it ose në një mënyrë tjetër”, tha Karaxhovski.

Nga Prokuroria tani për tani nuk zbulojnë detaje lidhur me hetimin për keqpërdorimet e mundshme të AKMIS-it, vetëm thonë se po grumbullojnë të dhëna nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Speciale.

“Në këtë lëndë vazhdimisht po sigurohen dëshmi verbale përmes dëgjimit të personave, të cilët me dëshminë e tyre mund të ndihmojnë në përcaktimin e gjendjes faktike. Pasi i marrin përgjigjet nga kërkesat e paraqitura, prokurorët kompetentë do të marrin vendim për veprimin e mëtejshëm në lidhje me këtë lëndë”, nga Prokuroria Publike Themelore e Maqedonisë.

Sipas orarit të Ribarevit, në vitin 2017 janë shpërndarë 17 aktakuza të ngritura nga PPS-ja. Sipas informacioneve jozyrtare, para se të japë dorëheqje, Ribarev është marrë në pyetje në Prokurori. Në  periudhën kur janë caktuar parregullsitë në Gjykatën Supreme, u arratisën Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski, por Gjykata e njëjte vitin e kaluar e shfuqizoi edhe masën për paraburgim për afaristin Sead Koçan.

Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski