PROTESTOJNË ME VITE! FATURAT VIJNË, NDONËSE TË SHKYÇUR NGA NGROHJA

0

Këta janë qytetarët të cilët mbajnë rekord për kohëzgjatjen e protestës së tyre. Por edhe pse ka 3 vjet që po protestojnë, kërkesat e tyre nuk po shkojnë në vend.Si çdo të shtune ata edhe sot në mesditë u mblodhën para Portës Triumfale në Shkup.Kërkojnë që mos të paguajnë faturat e ngrohjes, meqenëse janë shkyçur nga sistemi, ndërsa faturat kanë vazhduar të vijnë në adresën e tyre.

-Duhet të jenë në përputhje me dispozitat e Kushtetutës. Ne si qytetarë, si konsumatorë, si njerëz, si qytetarë të cilët kanë të drejta të veta të njeriut synojmë që të gjitha këto të drejtat t’i mbrojmë dhe t’i realizojmë. Negociatat janë në fazë përfundimtare, tha një protestues.  

Kryetari i Shoqatës për të drejtat e qytetarëve “No Pasaran” Mirko Stanojeviq, thotë se bëhet fjalë për 20 mijë familje të shkyçura nga sistemi i ngrohjes.

-Ne këtu jemi mbledhur për shkak të shkyçurve nga ngrohja qendrore. Këtu bëhet fjalë për rreth 20 mijë familje të shkyçura. Tani ne jemi në kontakt me Komisionin Rregullator, respektivisht me një grup pune, me të cilin po bisedojmë që ata të miratojnë rregulla të reja, tha kryetari i shoqatës Mirko Stanejoviq.

Edhe pse Qeveria u premtoi se në vitin 2018 nuk do të këtë më fatura të tilla, megjithatë kjo çështje ende nuk është zgjidhur. 5 mars është afati përfundimtar, brenda të cilit Komisioni Rregullator duhet t’i sjellë rregullat e reja, thonë nga shoqata.