PROTESTOJNË BANORËT E KONJARES, KËRKOJNË NDALIMIN E GËRMIMEVE NË LUMIN PÇINJE

0

Gërmimet për të nxjerr rërë në lumin Pçinje, kanë revoltuar banorët e Konjares së Epërme. Ata në mesditë bllokuan rrugët kryesore të fshatit. Thonë se këto gërmime një ditë do t’i lënë pa ujë të pijshëm, ndërkohë theksojnë dëmin që u është bërë tokave të tyre, si dhe prerjen e drunjëve. Banorët thonë se kompania që po bënë gërmime nuk ka asnjë dokument që mund të gërmoj për rërë dhe se nuk janë të informuar se çfarë konkretisht po bëhet në lumin Pçinje.

“Nuk kemi parë asnjë dokument nga Komuna se dikush posedon leje që ta bëjë këtë. U drejtuam në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe përkundër kërkesave tona – që të na tregojnë se çka dëshirojnë të punojnë këtu në lumin Pçinje, deri më tani nuk kemi marrë asnjë dokument, as nga komuna, e as nga ministritë. Tani nuk e dimë. Prandaj jemi mbledhur këtu që të mësojmë se çka do të punojnë dhe a kanë leje për punën që do ta kryejnë këtu”, tha banori.

 Banorët thonë se po u shkatërrohen tokat dhe se makineritë e rënda po ua dëmtojnë rrugët e asfaltuara.

“Çështja e dytë është se nga aspekti ekologjik shkatërrohet përqindje e madhe e pyllit. Problemi tjetër është se fshati do të mbesë pa ujë të pijshme, sepse gërmohet thellë, rrugët do të shkatërrohen nga makinat e rënda dhe ka rrezik të madh që…. drunjtë që janë duke u prerë për momentin, paraardhësit tanë, baballarët dhe gjyshërit tanë i kanë mbjellë si një mburojë për mbrojtjen e fushës së fshatit Konjare e Epërme, me qëllim kur të rritet niveli i lumit Pçinja t’i mos dëmtojë arat”, u shpreh banori.

Nga komuna e Petrovecit u kanë thënë banorëve se askujt nuk iu është dhënë leje për gërmime në atë zonë.

Banorët të revoltuar kërcënojnë se nëse nuk ndalen punimet protestat e tyre do të vazhdojnë.

Përgatiti Afrim Jonuzi