PROPOZIMI PËR EMRIN, QYTETARËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME

0

https://youtu.be/O_HCe_TNyac

Për herë të parë në pothuajse tre dekadat e fundit, që kur Greqia edhe zyrtarisht deklaroi se ka problem me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, një politikan doli publikisht dhe e deklaroi propozimin i cili do të ishte i pranueshëm në negociata. Zoran Zaev mbrëmë tha se si opsion i pranueshëm për përdorim të përgjithshëm është emri Republika e Maqedonisë së Ilindenit.  Ky propozim shkaktoi reagime në publik, duke marrë parasysh se nuk u përmend gjatë viteve të kaluara.  U spekulua për emra si  “E Veriut”, “ Gorna Makedonija” pa përkthim ose “ Maqedonia e re “ por asnjëherë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Prandaj i pyetëm qytetarët se çfarë mendojnë ata për këtë propozim. Për një pjesë të të anketuarve kjo zgjidhje ishte e pranueshme, ndërsa disa të tjerë mendojnë se emri kushtetues i vendit nuk duhet të ndryshohet, madje kishte edhe reagime për përkthimin e propozimit në gjuhën shqipe.

“Nëse e shikoni në aspektin historik, edhe ne si shqiptarë kemi qenë të përfshirë. Mirëpo  pjesëmarrja jonë është minimizuar, për atë neve na duket fillimisht jo emër adekuat.”

“Nuk është i keq propozimi. Si thonë më përqafo vetëm mos më thyej. Për ne është e rëndësishme të bashkëjetojmë dhe të mos grindemi mes vete. Kjo është e rëndësishme.”

“Jemi të kënaqur, si e ka dhënë Zaevi, ashtu duhet të jetë”, thanë disa qytetarë.
Për disa qytetarë, emri duhet të ngelë i pandryshuar,  ndërsa përfshirja e Ilindenit në emër nuk është e mirëseardhur.

“Nuk jam i kënaqur . Mendoj se nuk kemi nevojë të ndërrojmë emrin. Ne kemi emër dhe ajo duhet të mbetet. Le të na pranojnë njëherë në NATO dhe BE, pastaj do ta ndërrojmë emrin”, tha një qytetar.

“Nuk është propozimi i pranueshëm sepse sipas kësaj, bie që themelet e Maqedonisë janë në Ilinden. Kjo nuk është e saktë. Themelet e Maqedonisë së tanishme janë në kohën e Luftës së dytë botërore. Nuk kanë kaluar  lavdishëm në kryengritjen e Ilindenit , sepse ajo republikë zgjati 10 ditë dhe pastaj u përmbys”, tha një protestues.

Propozimi i kryeministrit Zaev për ndryshimin e emrit morri jehonë të madhe edhe në rrjetet sociale.  Shumica e tyre kanë bërë shaka dhe në mënyrë ironike kanë komentuar përkthimin apo përshtatjen e propozimit të emrit në gjuhën shqipe.

Përgatiti: Bajram Memeti