“PËR NE DIELLI LIND NË PERËNDIM”, 110 VJET ALFABET SHQIP

0

Thënia e Naim Frashërit “Për ne dielli lind në Perëndim” është motoja nën të cilën këtë vit Maqedonia do të shënojë 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Kjo thënie e rilindësit shqiptar, sipas  zëvendëskryeministrit Bujar Osmani, tregon përcaktimin historik të shqiptarëve për kah vlerat e civilizimit perëndimor.

“Sot 110 vjet më vonë kjo ngjarje historike ka ndikim të fuqishëm edhe në kontekstin bashkëkohor politik kur shqiptarët e të gjithë rajonit, por edhe në përgjithësi, gjenden para momenteve që janë kthesë kyçe për të pranuar dhe siguruar orientimin e vet perëndimor”, tha Bujar Osmani, Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.

Aktivitetete kryesore për shënimin e kësaj date do të mbahen në Shkup dhe Manastir. Do të ketë konferenca shkencore dhe promovime librash që ndërlidhen me ngjarjet dhe personazhet që kanë ndihmuar në unifikimin e alfabetit shqiptar.

“Në përpilimin e këtij programi jemi munduar që të jemi gjithëpërfshirës nga të gjitha trevat etnike shqiptare, nga institucionet shtetërore dhe akademike dhe ja kemi arritur që të përpilojmë një program që do të jetë dinjitoz për të shënuar 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit”, u shpreh Skender Asani, ISHTKSH.

Aktivitetet kulturore do të kulmojnë më datë 22 nëntor në Filarmoninë e Maqedonisë me tingujt e violinës së Shkëlzen Dolit.

“Do të jetë një mbrëmje madhështore ku të gjithë artdashësit nga te gjitha trevat, besoj se do vijnë edhe nga trevat e tjera shqiptare, por edhe vetë maqedonasit, do të kënaqen me meloditë e kompozitorëve më të njohur botëror”, tha Shkëlzen Doli, Violinist.

Kongresi i alfabetit në Manastir nisi më 14 e përfundoi më 22 nëntor të vitit 1908. Qëllimi i intelektualëve të mbledhur në qytetin e konsujve ishte një, që shqiptarët të shkruanin me një alfabet të standardizuar. 22 nëntori është festë dhe ditë jo pune për të gjithë shqiptarët në Maqedoni.

Përgatiti: Besir Arifi