PARABURGIM 30 DITORË PËR ATANASOVSKIN, ISH-SHEFI I DSK-së RREZIKON TË VUAJ KATËR VITE BURG

0

Arrestimi i ish-shefit të DSK-së Vlladimir Atanasovski ndodhi një ditë pas dëshmisë së të akuzuarve në  procedurën penale për 27 prillit, Stefan dhe Mihaill Mlladenovski dhe Zaharie Simovski, të cilët thanë se ai është organizatori kryesor i hyrjes së dhunshme në Kuvend MË 27 prill, si dhe porositës i dhunës dhe veprave penale ndaj anëtarëve dhe simpatizuesve të opozitës së atëhershme. Sipas dëshmive të tyre, Prokuroria ka hapur hetim. Prokurorja Villma Ruskoska pas dëshmisë së mbrëmshme, tha se Prokuroria ka kërkuar paraburgim për Atanasovskin për shkak se ekziston rrezik për arratisje, ndikim ndaj dëshmitarëve ose shkatërrim të provave si dhe mundësia që e njëjta të përsëritet.

“Ai tashmë nuk është drejtor i DSK-së, por si ish- drejtor ai ka ndikim të madh te të punësuarit dhe njerëzit tjerë. E dimë se çdo ditë po organizohen protesta të qeta para Kuvendit, të qeta si protestat e “Për Maqedoninë e Përbashkët”, të cilat  në fund u shndërruan në dhunë të përgjakur, prandaj Prokuroria kërkoi masë paraburgimi në bazë të tri pikave të Ligjit për procedurë penale”, tha Villma Ruskoska, prokurore.

Ruskoska theksoi se prokuroria ka për qëllim të zgjerojë hetimin, por nuk precizoi në çfarë drejtimi dhe ndaj cilave persona, duke pasur parasysh se ka afat ligjor prej gjashtë muajve për të ngritur aktpadi. Ajo deklaroi se detajet e reja për herë të parë i ka dëgjuar në seancën gjyqësore. Avokati i tij, Jordan Apostollski deklaroi se kërkesa e Prokurorisë për paraburgim është e pabazë.

“Vllatko Atanasovski, tashmë një vit nuk është drejtor i DSK-së dhe në qoftë se ai do të ndërmerrte disa veprime gjatë këtij një viti e gjysmë, do të ndërmerrte, do të arratisej, do të ndikonte ndaj dëshmitarëve, por ai nuk e ka bërë këtë, kështu që kërkesa e prokurorisë është e pabazë. Mendojmë se prokuroria bën gabim të madh duke u besuar njerëzve që ballafaqohen me burg të përjetshëm të cilët janë të gatshëm të tregojnë gjithçka për ta shmangur këtë dënim”, tha Jordan Apostollosi, avokat.

Vlladimir Atanasovski u emërua drejtor i DSK-së, në shtator të vitit 2016, pas dorëheqjes së drejtorit të atëhershëm, Sasho Mijallkov dhe këtë funksion e ka ushtruar deri në qershor të vitit 2017, kur filloi edhe hetimi për “Të enjten e përgjakshme”. Seanca për 27 prillin vazhdon të enjten kur duhet të mbrohet i akuzuari Aleksandar Vasillevski – Ninxha. Përveç dëshmisë së tij, do të dëgjohen edhe tre dëshmitarë të cilët i ka propozuar mbrojta e tij. Mes tyre është edhe vëllai i Ninaxha-s, Bllagoj Vasillevski i cili ishte truprojë i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe i cili ishte me të në Vjenë.

Përgatiti: Adnan Qaili