PANUCCI “ZGJIDH” DILEMËN. GREZDA, NË FORMACIONIN TITULLAR

0

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e së premtes seancën e fundit stërvitore në “Loro Boriçi”, në prag të ndeshjes me Skocinë.

Trajneri Christian Panucci ka pasur dilemat e tij në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës për këtë ndeshje, dilema që duket se i ka zgjidhur. Pikëpyetja më e madhe ishte mbi Eros Grezdën, i cili gjatë të gjithë javës është stërvitur veçmas skuadrës, e vetëm në orët e fundit iu bashkua asaj.

Mësohet se Grezda, me shumë mundësi do të jetë titullar në këtë ndeshje, për të mbështetur Balajn më të avancuar në sulm, së bashku me Uzunin. Për sa i përket reparteve të tjera, Strakosha do të jetë në portë; Gjimshiti e Mavraj në qendër të mbrojtjes, në krahun e majtë do të jetë Binaku, ndërsa në të djathtin, Veseli duket se do të zëvendësojë Hysajn e skualifikuar.

Reparti i mesfushës, me siguri do të përbëhet nga Xhaka, Kaçe që merr vendin e Bashës, edhe ky i skualifikuar, si dhe Memushaj.

Sot përballja me Skocinë, përcakton të ardhmen e kuqezinjve

Sfida mes Kombëtares shqiptare dhe Skocisë do të luhet në orën 20:45 dhe është vendimtare për skuadrën tonë, që rrezikon jo pak të zbresë në Ligën D të Ligës së Kombeve. Kombëtarja duhet që të fitojë 4-0 ndaj Skocisë dhe të shpresojë në një fitore minimale të kësaj të fundit me Izraelin, për të siguruar vendin e parë në grup dhe të kualifikohet për në “Final Four” të Ligës D.