NUK DIMË DHE NUK DUAM TA DIMË SA JEMI?! “REGJISTRIMI I POPULLSISË TË NDAJË KOMBËSINË NGA SHTETI”

0

https://youtu.be/e1xR6dSe9rI

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të bërë në vitin 2002, Maqedonia ka numëruar 2,022,547 banorë, prej të cilëve 64.18% ishin maqedonas, 25.17% shqiptarë dhe pjesa e mbetur u takon minoriteteve tjera më të vogla. Për 16 vjet shteti nuk ka të dhëna zyrtare për demografinë e vendit. Pas dështimit në vitin 2011, një regjistrim i ri i popullsisë po përgatitet të bëhet pas dy vjetësh. Por, drejtori i Entit shtetërorë të statistikave, Apostol Simovski thotë se gjatë këtij censusi të dhënat e qytetarëve për përkatësinë etnike dhe religjioze nuk janë të nevojshme.

“Diçka që e kemi diskutuar vazhdimisht në institucionin tonë dhe i kemi shqyrtuar të gjitha të dhënat për regjistrimin e popullsisë. Përveç për qëllime politike, për asnjë qëllim tjetër, e kam fjalën për përkatësinë etnike apo religjioze, nuk kanë asnjë rëndësi në praktikë”, tha Simovski.

Por, njohësit e fushës tërheqin vërejtjen se me regjistrimin e popullsisë nuk duhet të ngatërrohet shtetësia dhe kombësia. Publicisti Nijazi Muhamedi thotë se me këtë metodë do të paralizohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e bashkësive etnike jomaqedonase nuk do të figurojnë në OKB.

“Manipulohet, për arsye se duan ta ridenifnojnë konceptin, në bazë zë marrëveshjes me Greqinë, për shtetësinë, kombësinë dhe gjuhën. Mandej, në rast se ne shqiptarët do ta kontestojmë për të kërkuar të drejtat tona në OKB, do na thonë se nuk e lejon marrëveshja me Greqinë”, tha Muhamedi.

Publicisti Muhamedi thotë se edhe diaspora shqiptare do të regjistrohet në kuadrin e refugjatëve.

“Në rastin tonë, unë parashikoj një sakatim të dyfishtë të diasporës, nëse nuk i vëmë rëndësi metodologjisë që duhet të definohet qartë për Maqedoninë gjatë regjistrimit. Te diaspora mendoj se do të bëhet manipulim edhe tek fakti se do t’i shpallin si popullsi jo rezidente, gjoja si kontribuues pasivë të zhvillimit të këtij vendi”, shtoi Muhamedi.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni pritet të zhvillohet në prill të viti 2020, tha drejtori Simovski. Ai ka planifikuar të angazhoj rreth 5 mijë persona. Është vlerësuar se procesi do të kushtojë 8.5 milion euro. Sipas drejtorit Simovski, këtë herë gjatë regjistrimit, nuk do të përdoren pyetësorët në letër, por do të përdoren laptopët, të cili për një kohë shumë më të shkurtër do të jepen të dhënat përfundimtare.

Përgatiti: Adnan Qaili