NINXHA: VMRO DHE DSK ORGANIZUAN 27 PRILLIN, “PRESIDENTI DUHEJ TË SHPALLTE GJENDJE LUFTE”

0

Sulmin në Kuvend më 27 prill e udhëhoqi shtabi paramilitar i VMRO DPMNE-së, së bashku me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Kjo është dëshmia e radhës nga gjykimi për 27 prillin, e dhënë nga i akuzuari Aleksandar Vasilevski-Ninxha që edhe më tej përforcon idenë se ngjarjet e përgjakshme të vitit të kaluar janë orkestruar dhe ekzekutuar nga VMRO-ja dhe DSK-ja. Sipas Ninxhas i cili sot ishte dëshmia kryesore në gjykim, ai kishte qenë i angazhuar që të koordinojë punët, me urdhër të ish-agjentit Goran Grujovskit. Mirëpo, Ninxha kishte shërbyer edhe për bashkëpunëtorin e Grujovskit, Nikolla Boshkovski.

Sipas Ninxhas, shtabi paramilitar i VMRO-së ishte vendosur tek Hoteli “Meriot”, prej ku Biljana Boshkovska dhe Kirill Bozhinovski u kishin raportuar dhe dhënë direktiva Trajko Veljanovskit dhe Mile Janakieskit. Spiro Ristovski i kishte dhënë direktiva Bogdan Ilievskit, ndërsa ish-djetori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, ka komunikuar me Mitko Peshovin. Biljana Boshkovska ishte ajo që i kishte dhënë urdhër Trajko Veljanovskit për t’i hapur dyert e Kuvendit, pasi deputetët e VMRO-së kishin dështuar të shkaktonin incident më parë.

“Urdhërat jepeshin prej katit të tetë të Hotelit “Marriott” ku aty ishin Mitko Çavkov, Mile Janakieski, Kirill Bozhinovski, Spiro Ristovski dhe Biljana Brishkovska. Kjo e fundit tha se skenari i parë kishte dështuar, se deputetët nuk e kishin kryer detyrën e tyre për të shkaktuar incident, për të krijuar rrahje mes deputetëve, prandaj iu dha urdhër Veljanovskit që t’i hapte dyert e Kuvendit”, tha Aleksandar Vasilevski – Nixha, i akuzuar.

Aleksandar Vasilevski vazhdoi të shpjegojë se si kishte dështuar plani për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të presionit ndërkombëtar ndaj Gjorge Ivanovit.

“Tek shtabi, në katin e tetë, rrinte edhe shefi i kabinetit të Ivanovit, Boris Josifovski, në pritje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në parkun para Kuvendit po qëndronte Goran Grujovski, i cili më tha se brenda ka njerëz nga inteligjenca ushtarake, në gatishmëri të marrin situatën nën kontroll, kur të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Por, ndërkohë dikush iu paraqit në telefon dhe ai tha “Dikush tjetër e ka marrë situatën nën kontroll dhe kjo nuk është shenjë e mirë.”. Pastaj atij i erdhi edhe një thirrje tjetër dhe i thanë “Nuk do të ketë situatë të jashtëzakonshme. Për shkak të presionit të faktorit ndërkombëtar ndaj Presidentit”, tha Ninxha.

Megjithatë, agjentët e DSK-së ishin siguruar që të merrnin dhe shkatërronin inçizimet e kamerave të sigurisë. Pasi i kishin marrë hard disqet, kishin shkuar në një hapësirë të fshehtë të DSK-së dhe aty i kishin shkatërruar.

“Disqet ishin të zeza. Nikolla Boshkovski i morri dhe i futi në presë, dhe i thërrmoi. Këto copëza pastaj i hodhi në Lumin Vardar. Boshkovski me tha se i akuzuari Sasho Markovski i kishte vjedhur incizimet dhe tashmë askush nuk do të mund të dukej në kamerat e sigurisë. Kështu funksiononte Drejtoria e Pestë”, u shpreh Aleksandar Vasilevski.

Ninxha u rrëfye edhe për arratisjen e tij disamujore. Ai tha se nuk ishte dorëzuar më parë, pasi që kishte kërcënime nga Goran Grujovski i cili e dinte se ai ishte ura lidhëse. Por, në fund megjithatë ai kishte vendosur që të dorëzohet në polici. Ninxha shpjegoi edhe organizimin e protestave të iniciativës “Për Maqedoni të Përbashkët” duke qartësuar se në krye të protestave ishin vendosur si udhëheqës Boris Damovski, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski dhe Bogdan Illievski vetëm sa për sy e faqe, pasi organizatorët dhe prijësit e vërtetë ishin nga VMRO DPMNE-ja.

Përgatiti: Adnan Qaili