NGJITËSET EKOLOGJIKE NËPËR MAKINA, ATO ME TË KUQE S’MUND TË QARKULLOJNË KUDO

0

Makinave të cilat ndotin ajrin në një masë të palejuar, do tu vendosen ngjitëse me ngjyrë të kuqe. E këto makina nuk do të mund të qarkullojnë në ato komuna, ku ajri është i ndotur mbi normalen.  Në bazë të ndryshimeve në ligjin për automjete, të gjitha makinat do të kenë eko-ngjitëse. Të kuqe, portokalli ose ngjyrë të gjelbër, varësisht nga ajo se sa emetojnë gazra helmuese. Ngjitëset ekologjike, do të përcaktohen në kontrollet teknike, ndërsa do të jenë tregues se sa ndotin makinat me karburantin dhe motorin që posedojnë.   Të drejtë lëvizje nëpër Shkup në ditët kur ajri është shumë i ndotur do të kenë makinat me eko-ngjitëse të gjelbër dhe portokalli. Ndërkaq me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të vijojnë sanksione, për mosrespektimin e këtyre rregullave. Sanksione do të ketë edhe për shërbimet e autorizuara teknike, nëse nuk vendosin ngjitësen adekuate në makina.

“Ligji parasheh dënime adekuate, por më e rëndësishme është, se dënime më të larta do të ketë për shërbimet e autorizuara teknike, që ata me të vërtetë t’i kontrollojnë automjetet dhe me të vërtetë të vendosin ekp-ngjitëset ashtu siç duhet. Prandaj dënimet për ata janë më të larta se sa për qytetarët”,tha Jani Makraduli.

Sipas zëvendësministrit të Mjedisit jetësor Jani Makradulit, automjetet janë faktori i dytë më i madh në vendin tonë që ndikojnë në ndotjen e ajrit. Për këtë arsye përveç eko-ngjitësve do të implementohet programi për subvencionim të makinave elektronike dhe hibride. Sipas tij vitin e parë pritet që të subvencionohen 200 makina. 5000 euro subvencione, do të marrin qytetarët për makina elektronike, ndërsa për makina hibride qytetarët do të marrin 3000 euro.  Përndryshe, sipas të dhënave nga Ministria e Mjedisit, shumica e automjeteve në vend janë EURO 2 standard, ose EURO 1.

Ndryshe Shkupi disa herë me radhë ka qenë i pari në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sot në komunën Qendër grimcat kancerogjene pm10 në stacionin matës është 65 mikrogram për metër kub, ndërsa niveli i lejuar është 50-të. Për komunën e Gazi Babës dhe Novo Lisiçe, si dhe për disa qytete si Manastirin dhe Velesin, aplikacioni “Moj Vozduh” nuk jep të dhëna.

Përgatiti: Almedina Ismajli