NGACMIMI I GRAVE NË VENDIN E PUNËS, S’KA MEKANIZMA TË FUQISHËM PËR MBROJTJEN E TYRE

0

Sa është e mbrojtur gruaja në vendin e saj të punës.  Në debatin e sotëm të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Maqedonisë  në bashkëpunim me Ambasadën e ShBA-ve në Republikën e Maqedonisë, u tha se ka shkallë të lartë të ngacmimit të grave në vendet e punës dhe nuk ekzistojnë mekanizma të fortë për mbrojtjen e tyre. Dijana Despodov e Odës ekonomike Amerikane tha se duhet të krijohet atmosferë në punë, që gratë të ndjehen më të lira dhe të sigurta. Sipas ligjit, gruaja viktimë e ngacmimit seksual duhet së pari të kontaktojë punëdhënësin dhe nëse nuk gjendet zgjidhje, ajo ka të drejtën të fillojë proces gjyqësor.

“Siç e dini vendi i punës është vendi ku e kalojmë pjesën më të madhe të ditës dhe të jetës. Është imperativ të krijohet atmosferë ku gratë do të mund të ndjehen të lira dhe të sigurta, që të mund ta shprehin potencialin e tyre dhe të jenë produktive sa më shumë. Deshëm që si Odë Ekonomike dhe si përfaqësues i sektorit privat në Maqedoni ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të dërgojmë një porosi për atë se çfarë sektori privat duam të ketë në Maqedoni”, tha Dijana Despodov, drejtoreshë ekzekutive e odës ekonomike amerikane.