NGA RRUGA NË RRUGË, PA BURRA, NUK DIHET FATI I PESË FAMILJEVE ROME

0

https://youtu.be/oJGaMNfrabo

Pesë familje jetojnë në këto shtëpi të improvizuara.

Këto familje, jetojnë vetëm dhe pa burra, ata thonë se gjithë burrat janë burgjeve, dhe se kanë mbetur vetëm me fëmijët e vegjël.

Ata kanë marrë lajmin se shumë shpejt do të largohen edhe nga ky vend ku po qëndrojnë tashmë disa vite.

Para 2 viteve TV21 raportoi për gjendjen e rënduar të këtyre familjeve. Rabije Idrizova ishte shtatzënë. Ajo tani pas dy viteve thotë se ka lindur në këtë vend dhe se tani ka gjithsej gjashtë fëmijë dhe nuk din se ku do të shkojë me fëmijët e saj.

“Prej komunës së Gazi Babës na thonë që patjetër, duhet të largoheni nga këtu, këtu nuk mund të jetoni, unë ku të shkoj me gjithë këto fëmijë. Nuk kam ku të shkoj. Edhe unë nuk jam mirë këtu, ujë nuk kemi, rrymë marrim nga rruga, ndonjëherë kemi ndonjëherë jo ku të shkoj”, tha Rabije Idrizova.

Elizabeta Hamzi është e sëmurë. Nuk ka as nënshtetësi, edhepse ka lindur në Maqedoni.

Ajo ka lindur dhe është rritur në rrugë, pa provuar kurrë ndjesinë e të pasurit shtëpi. Këmbëngul se nuk do të largohet nga ky vend, sepse siç thotë, është lodhur duke lëvizur nga një cep në një cep tjetër.

“Nuk largohemi nga këtu, përsëri do të vendosim tenda, dhe do të flejë me fëmijët e mi. Nëse largohem nga këtu nuk kam ku të shkoj në vend tjetër. Jam dhe e sëmurë me zemrën”, tha Elizabeta Hamzi.

Kryefamijaret thonë se nuk duan të shkojnë në Fshatin Çiçino, por kërkojnë që t’u bëhet një zgjidhje tjetër.

TV21 prej dy ditësh mundohet të kontaktojë me Komunën e Gazi Babës, por nga atje nuk japin përgjigje në pyetjen se çfarë do të ndodhë me pesë familjet që ngrysen dhe gdhijnë thuajse në qiell të hapur.