NË KONGRESIN E PPE-së, 2 DELEGACIONE TË VMRO-së, MIJALLOKOV: MICKOSKI, U TURPËRUAT NË SKENËN NDËRKOMBËTARE

0

Shumë fotografi në Helsinki. Partia “e djathtë”, VMRO-DPMNE mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Evropiane, por me dy delegacione. Njërin delegacion e udhëhoqi lideri i partisë, Hristijan Mickoski, në shoqëri të Aleksandar Nikolloskit, Vllatko Gjorçevit dhe Timço Mucunskit. Delegacionin e dytë e përfaqësuan anëtarët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE. Pasi që morën ftesa të veçanta, në kongres morën pjesë Petar Bogojevski, ish zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, ish funksionar i lartë i kësaj partie, si dhe Emilija Aleksandrova. Në margjinat e kongresit, eurokomisari Johanes Han u takua me të dy delegacionet.

-Isha shumë i qartë se Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të ndodhë shpejt dhe askush nuk guxon ta pengojë këtë, ka shkruar eurokomisari Johanes Han, në profilin e tij në twiter, duke publikuar një fotografi nga takimi me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

Edhe Mickoski përmes profilit të tij të Facebook-ut, e shprehu  mendimin e tij për takimin me Han. Ai paralajmëroi se do të ankohet për përndjekje politike dhe se do t’i bindë partitë e djathta të Evropës se politikat e VMRO-DPMNE-së janë PRO BE-së dhe NATO-së.

Në takimin me “të përjashtuarit” nga VMRO-DPMNE, Han e ka përshëndetur, siç tha, guximin e tyre për të votuar për ndryshimet kushtetuese. Ai porositi se duhet të ndalen të gjitha kërcënimet ndaj tyre.

Në të njëjtin mendim është edhe Doris Pak, kryetarja e asociacionit e femrave të PPE-së.

-Është e papranueshme që 8 deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët votuan “për” Marrëveshjen me Greqinë dhe për ardhmërinë evropiane të vendit, tani të ballafaqohen me kërcënime dhe të trajtohen si kriminelë. PPE nuk guxon ta durojë këtë, ka shkruar ajo në profilin e saj në twiter.

Gjatë ditës, Mijallkov përsëri iu drejtua me letër Mickoskit duke i porositur se partia nën udhëheqjen e tij ka përjetuar fiasko në skenën ndërkombëtare. Përveç nga Hani, vërejtje për udhëheqjen e partisë, në adresë të Mickoskit dërgoi edhe Mijallkov.

“Në vetëm një mbrëmje të të turpërojnë dhe të të shkruajnë mesazhe në rrjetet sociale edhe Doris Pak, edhe Johanes Han, nuk do të thotë asgjë tjetër, përveç se edhe ata i kanë lexuar gënjeshtrat e tua dhe se nuk të besojnë. Kanë vendosur të shkruajnë në twiter, që të mos të kujtohet ta përcjellësh vetëm atë që të konvenon dhe të gënjesh se e ke mbështetjen për dëmin që ia shkakton Maqedonisë dhe VMRO-së”, tha Letra e Mijallkovit për Mickoskin.

Përndryshe, me 79,2% të votave, eurodeputeti gjerman dhe shefi aktual i grupit të deputetëve të PPE-së, Manfred Veber, u zgjodh kandidat për kryetar të Komisionit evropian. PPE-ja është partia më e madhe në Parlamentin Evropian që nga viti 1999 si dhe në Këshillin Evropian që nga viti 2002.

Përgatiti: Dançe Azmanova