NDRYSHOHEN TABELAT E PIKAVE KUFITARE, “MIRËSEERDHËT NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT”

0

Nga kufiri me Greqinë filloi riemërimi i Maqedonisë. Prej sot në hyrjet e vendit shkruan “Mirëserdhët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Sot u ndryshua mbishkrimi i tabelës së parë, menjëherë pas gurit kufitar, ndërsa pak më vonë, ekipet e doganës e ndryshuan edhe tabelën më të vogël, ndërsa në tabelën Mirëserdhët, emri Republika e Maqedonisë mbeti i mbuluar.

“Ndryshimi i tabelave me emrin e ri kushtetues në pikën kufitare “Bogorodicë” është hapi i parë që e ndërmori Qeveria e Maqedonisë për të përmbushur detyrimet e Marrëveshjes së Prespës. Në tre ditët e ardhshme, Dogana do të duhet të ndryshojë tabelat e pikave të tjera kufitare me vendet tjera fqinje”, tha Katerina Dafçeva – gazetare e Tv21.

Pas pikës kufitare “Bogorodicë”, tabelat me emrin e ri u vendosën edhe në “Tabanoc” dhe “Mexhitli”. Më së shumti, për tre ditë duhet të ndryshohen të gjithë tabelat e pikave kufitare.

Nga Qeveria thonë se gjatë vendosjes së tabelave do t’i kushtohet vëmendje edhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Por, gjuha shqipe do të përdoret vetëm në pikat kufitare në komunat ku kjo gjuhë është zyrtare.

“Rregulli është i qartë. Pikat kufitare që gravitojnë në këto komuna, ku krahas gjuhës maqedonase përdoret edhe gjuhë tjetër zyrtare, siç është për shembull Tetovë – Jazhincë, atje do të jetë në tre gjuhë, do të jetë në të njëjtat gjuhë që përdoren në korniza të pushtetit lokal. Po, keni të drejtë, gjuha shqipe është zyrtare në nivel shtetëror, por në suaza të Ligjit për gjuhët. ka një nen specifik, mendoj neni 16, që e rregullon pikërisht këtë, përkatësisht pikat kufitare”, u shpreh Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Ndryshimi i tabelave kufitare morri vëmendje të madhe në mediat greke. Hristo Nikollaids, nga Radio Tesalloniki, vlerëson se shumica e popullit grek nuk ndjen ndryshime thelbësore në lidhje me çështjen e emrit.

“Për shumicën e qytetarëve, asgjë serioze dhe reale nuk është ndryshuar. Te shumica e popullit grek mbisundon mendimi se nuk ka dallim të madh ndryshimi i emrit Republika e Maqedonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata nuk duan fare ta shohin emrin Maqedoni në emrin e një shteti tjetër”, tha Hristo Nikollaids – Radio Tesalloniki.

Grupi i punës ndër-resor ka konfirmuar afate të sakta që dalin nga Marrëveshja përfundimtare dhe Amendamentet kushtetuese. Ndryshimi i të gjitha tabelave në nivel lokal dhe qendror, duhet të mbarojë në afat prej 4 muajve.

Përgatiti: Katerina Dafçeva