NDRYSHIMET, OPOZITA SHQIPTARE ME KËRKESA, BDI: KËTYRE PARTIVE JU KA IKUR QË MOTI AGJENDA KOMBËTARE

0

Përfshirja e çështjeve me prioritet për shqiptarët ishte kërkesa e dy partive opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, në debatin e djeshëm në Komisionin për ndryshimet kushtetuese. Ata kërkojnë nga pushteti që shqiptarët të mos jenë në rend të dytë. Gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase.

“Edhe sot e kësaj dite, mund të themi se nuk është arritur barazia e plotë mes shqiptarëve të RM-së, edhe pikërisht kjo kushtetutë të cilën ne tash tentojmë ta ndryshojmë, flet vetë në dispozitat kryesore në pjesën hyrëse, në preambullë, në pjesën normative, ku në preambullë për fat të keq, kemi një karakterizim të qytetarëve, ku bashkëqytetarët maqedonas në një grupacion, kurse të tjerët përfshihen në një grupacion, thuaj se kanë rastisur dhe jo se jetojnë në trojet apo në vendbanimet e tyre shekullore”, tha Syrja Rashiti, Deputet i ASH-SË.

 Në të njëjtën vijë është edhe partia e Bilall Kasamit.

“Kemi problem me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, ku është dashur të përfundojë në vitin 2004. Mos flasim për probleme të tjera, problemi me financa publike, ku shqiptarët vlerësojnë se financat publike, nuk ndahen në mënyrë të barabartë si dhe përqindjen e shqiptareve në institucionet publike,  ende vlerësohet se nuk është në nivelin e duhur. Kemi probleme me decentralizimin, një nga elementet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit, ku edhe ajo ka stagnuar nga viti 2006”, tha Fadil Zendeli Deputet, L. BESA.

Por partia shqiptare në pushtet BDI, tenton të anatemojë përpjekjet e partive opozitare shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim

“Arkaike, jokreative, mungesë autorësie dhe substance si rrjedhojë e mospasjes së kapaciteteve ideologjike partiake, intelektuale, vizionit dhe njohurisë elementare. Duhet të këndellen që agjenda kombëtare ju ka ikur që moti për arsye se s’kanë asnjë copëz autorësie dhe kontributi deri më sot”

Propozim-amendamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjvënës -juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese dhe në fund edhe në seancë plenare. Vendimi final për miratimin e amendamenteve sillet me shumicën prej dy të tretave ose së paku 80 vota. Për amendamentin e Preambullës së Kushtetutës, përveç shumicës prej dy të tretave, nevojitet edhe parimi i badenterit.

Përgatiti: Zimer Jashari