Ndryshimet kushtetuese në gazetën zyrtare, shpresë që të ratifikohet edhe në Greqi

0


Një ditë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, kryeministri Zoran Zaev sot për herë të parë e përdori emrin e ri të shtetit.

“Rroftë Maqedonia. Rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në Maqedoni Marrëveshja e Prespës mori dritë jeshile, ndërsa tani gjendet para semaforit të Kuvendit të Greqisë. Shpresat janë që deri në fund të janarit marrëveshja të ratifikohet edhe atje. Kryeministri Zoran Zaev sot iu dërgoi mesazh, siç i quajti, miqve në Greqi, që të veprojnë njëjtë si Kuvendi i Maqedonisë, t’i mbledhin forcat për sjelljen e një vendimi pozitiv.
“Jam i bindur se edhe deputetët në Kuvendin grek do ta kuptojnë rolin e tyre të rëndësishëm në këtë moment historik. Besoj fort se mikja jonë Greqia do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe do të jetë vendi i parë që do ta firmosë protokollin për aderim në NATO dhe më pas do t’i nxisë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe 28 vendet tjera anëtarë të aleancës që të bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Nëse Marrëveshja ratifikohet edhe në Athinë, përfundimisht ajo hyn në fuqi. Pas kësaj Maqedonia ka për obligim që t’i njoftojë të gjitha shtetet në botë për vendimin e ri. Por nëse Kuvendi grek nuk e ratifikon – marrëveshja dështon.

“Nëse Marrëveshja e Prespës nuk ratifikohet në Kuvendin e Greqisë, atëherë ka përjashtime, ka përgjigje në ligjin tonë kushtetues që gjithashtu u soll mbrëmë, se e gjithë kjo do të anulohej, që as nuk mendoj se do të vijë deri tek kjo sepse edhe Greqia është shtet bashkëkohor, ndeshet me probleme sigurisht më të vogla se tonat, por edhe për të është e rëndësishme të tregohet si subjekt kreativ në politikën ndërkombëtare”, tha Trendafil Ivanovski, ish-gjykatës kushtetues.

Ndryshimet e votuara mbrëmë me 81 vota deputetësh sot u publikuan në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë. Ndryshimet kushtetuese që Kuvendi i sjell me shumicë prej 2/3-tash, nuk parashohin që për të njëjtat të firmosë edhe Presidenti i shtetit.

“Falë Zotit për vendimin e ri nuk duhet nënshkrim nga presidenti Ivanov”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Mediat në Greqi shkruajnë me tone pozitive se edhe atje do të ratifikohet Marrëveshja e Prespës. Analizat e shumë mediave greke thonë se kryeministri Aleksis Cipras tashmë i ka siguruar votat e nevojshme për kalimin e Marrëveshjes me shumicën e nevojshme prej 151 votash. Sipas të përditshmes greke To-Vima pritet të votojnë edhe deputetët e partisë “Grekët e Pavarur” dhe nga opozitarja “Potami”. Këto ditë pritet edhe një takim mes Kryeministrit Cipras dhe partnerit të tij të koalicionit Panos Kamenos.