NDIHMA E SHPEJTË KA ARRITUR NË KOHË SHTATË PERSONA NË GJENDJE KRITIKE

0

Kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë, Venko Filiçe, Bujar Osmani dhe funksionarë të tjerë shtetërorë i vizituan të lënduarit të hospitalizuar në Spitalin “8 Shtatori”. Gjithsej 29 persona po trajtohen në këtë spital, 6 janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike, kurse dy janë shtrirë në Spitalin e Tetovës. Aksidenti i mbrëmshëm rezultoi me 14 viktima. Shtatë udhëtarë, katër prej të cilëve gjenden në klinikën “8 Shtatori” dhe tre në Qendrën Klinike janë në gjendje kritike shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se ekipet e Ndihmës së Shpejtë, në vendin e ngjarjes kanë arritur në kohë.

Kryeministri Zoran Zaev, thotë se hetimi po rrjedh dhe se informata më serioze priten nga vozitësi dhe udhëtarët.

Ndryshe, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov, tha se gjatë natës së kaluar, në spitali kanë ardhur edhe shërbimet e MPB-së, për shkak se në këtë spital kanë ndërruar jetë 6 persona. Drejtori Kostov thotë se kanë pasur vështirësi gjatë identifikimit të të vdekurve.

PËRGATITI: ARBANA Q.KLIMENTA