MAQEDONIA MERR REKOMANDIM POZITIV, RAPORTI THOTË QË MBETET SHUMË PUNË PËR TU BËRË

0

https://youtu.be/hkKgzlBOtq4

Komisioni Evropian i rekomandoi këshillit që të hapen negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë për anëtarësim në union.
Raporti i Komisionit Evropian është pozitiv, por sikur edhe në raportet tjera, është e notuar se çështja e hapur e emrit me Greqinë është urgjencë dhe se duhet të mbyllet sa më shpejtë.
Zgjedhjet e fundit lokale e konfirmuan përkrahjen e qytetarëve për politikat pro evropiane, thuhet në hyrje të raportit.
Është notuar progres edhe në fushën e gjyqësorit, por thuhet se nuk ka vendime konkrete kur bëhet fjalë për raste më të mëdha që kanë të bëjnë me korrupsion.
Sipas raportit, korrupsioni mbetet i shpërndarë në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet problem serioz.
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe nënkryetarja e Komisionit Evropian, shpreson se rekomandimi për fillimin e bisedimeve do të ndikojë pozitivisht tek të dy shtetet dhe se do ti motivoj që të punojnë edhe më shumë drejt euro-integrimeve.
“Vendimi që e morëm sot për t’i rekomanduar Këshillit për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë janë bazuar mbi vlerësime të rrepta të progresit të bërë sipas rekomandimet që ne i kemi bërë paraprakisht. Kemi parë, rekomandimet që  i kemi dhënë më parë, në vitin 2016, matjet e bëra në kryeqytete të ndryshme, në këtë rast në Tiranë dhe gjithashtu në Shkup. Rezultatet tashmë po shihen dhe porosia që po përcjellim sot është se ky vendim për të rekomanduar hapjen e negociatave është inkurajim për këto shtete për të vazhduar në rrugën e reformave”, tha Frederika Mogerini.

Shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë raport sheh edhe komisari për zgjerim, Johannes Hahn.

“Edhe pse fjala më e përdorur në këtë rajon është “pothuajse” ne ende nuk jemi “pothuajse atje”, jemi shumë larg nga “po thuajse ”por jemi në rrugë të mbarë. Gjithashtu duhet të them se raporti në përgjithësi është mjaft kritik, por faktik, mendoj se është shpresëdhënës dhe pozitiv në suaza të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu është e rëndësishme të theksoj se nuk ka rrugë të shkurta ose kalim të lirë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Johane Han.
Më të kënaqur nga raporti si duket janë përfaqësuesit qeveritar. Kryeministri, Zoran Zaev, tha se qytetarët duhet të mburren me vendin e tyre, kurse raportin e sheh si një hap më afër drejt Unionit Evropian. Ai përshëndeti punën e të gjitha partive politike, përfshirë këtu edhe VMRO DPMNE-në, por tha se edhe pa përfshirjen e tyre, raporti do të ishte pozitiv.
Çështja kryesore që është prioritet numër 1 i Komisionit, mbetet emri, por kryeministri është i bindur se edhe ky problem mund të tejkalohet.
“Me të vërtetë kemi përparim në këtë proces dhe është shumë më ndryshe se më herët. Kemi një dëshirë, optimizëm dhe vendosmëri të madhe që të vazhdojmë. Është e mundur që në javët e ardhshme që i kemi para të gjendet zgjidhje… Kjo mund të jetë edhe 2 apo 6 javë, por thamë që po bëjmë përpjekje që kjo të bëhet para samitit të BE-së në qershor, por do të ishim të lumtur nëse kjo ndodh edhe më herët”, tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ky është rekomandimi i nëntë me radhë për Maqedoninë për hapjen e negociatave me BE-në, por dy të fundit ishin të kushtëzuar me zbatimin e rekomandimeve të Pribe-së dhe të marrëveshjes politike të Përzhinës.

Përgatiti: Furkan Saliu