MAQEDONIA E FESTON “11 TETOR”-in, DITA E KRYENGRITJES U SHFRYTËZUA PËR MESAZHE POLITIKE

0

Maqedonia e feston “11 Tetor”-in, dita kur me të shtënat e pushkës në Prilep dhe Kumanovë, filloi lufta çlirimtare. Festa u shënua me disa ceremoni, ndërsa një pjesë e politikanëve e shfrytëzuan rastin për të dërguar mesazhe politike.

Në urimin e tij, presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov bëri thirrje që ta ruajmë këtë copë toke, sepse përveç Maqedonisë ne nuk kemi asgjë tjetër.

“Maqedonia gjithmonë ka qenë në anën e lirisë dhe demokracisë, dhe për këto vlera nuk bëhet kompromis. Prandaj, të bashkuar, të vazhdojmë me synimin e luftëtarëve të Luftës çlirimtare për prosperitet të Republikës së Maqedonisë, duke iu bashkangjitur Evropës së Bashkuar si anëtare e plotfuqishme, në Evropë në të cilën nuk ka të vegjël dhe të mëdhenj, më të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm, Evropë e cila bazohet në barazi dhe solidaritet, Evropë – e cila paraqet djep i demokracisë”, tha Gjorge Ivanov, President i Republikës së Maqedonisë.

Kryeparlamentari apeloi që vizionin e luftëtarëve të 11 tetorit ta kthejmë në ardhmëri evropiane për shtetin tonë.

“Duke ecur në këtë rrugë, hasim në sfida të cilat tentojmë ti tejkalojmë me mirëkuptim të ndërsjellë, me respektim të dallimeve mes qytetarëve, me qëllim që shteti ynë të bëhet shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët të cilët të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e gjeneratave të ardhshme e shikojnë në Maqedoni si shtet demokratik, shtet i fuqishëm, modern dhe evropian”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Kryeministri Zaev kujtoi se ne si popull jemi para një zgjedhjeje historike dhe se kjo gjeneratë duhet të vendosë me guxim për të ardhmen e shtetit.

“Para 77 vjetëve luftëtarët e Luftës çlirimtare filluan luftë për liri, ndërsa gjenerata jonë e ka nderin për të luftuar për ardhmërinë evropiane të Maqedonisë. Sot, patriotizmin tonë e tregojmë përmes zgjedhjes  për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërsa gjeneratat e ardhshme do ta festojnë zgjedhjen tonë  nëse u japim më shumë arsye për këtë, ashtu siç partizanët e luftës çlirimtare neve na lanë arsye për të festuar”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dërgoi urime në rrjetet sociale.

“Lufta jonë sot është për Republikën e Maqedonisë, ndërsa sfida jonë është që ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga politikanët e papërgjegjshëm të cilët e futën përsëri në krizë të re. Kjo krizë nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, shoqërore, krizë e mungesës së moralit, etikës, mungesë e demokracisë. Populli e humb shtetin, për shkak se  kemi qeveri e cila nuk e respekton vullnetin e popullit,  i cili është i qartë dhe i zëshëm”, u shpreh Hristijan Mickoski, Lider i VMRO-DPMNE-së.

Festa u shënua me disa ceremoni para Qeverisë në Shkup, në Kumanovë te përmendorja e luftëtarëve të Luftës çlirimtare dhe te përmendorja “Mogilla e të pamposhturve” në Prilep.

Përgatiti Dançe Azmanova