LSDM REFUZON VMRO-në PËR ZGJEDHJE, PARTITË FOKUSOHEN NË PRESIDENCIALET

0

LSDM vendosi të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale. Kështu, ka hedhur poshtë kërkesën e VMRO-së opozitare. Sipas zëdhënësit të partisë tani më si vend-anëtar i NATO-s nevojiten reforma për marrjen e datës për hapjen e negociatave me BE-në.

“Tashmë jemi pjesë e NATO-së, presim datë për negociata me BE-në dhe realizim të reformave të nevojshme. Një parti përgjegjëse, pushtet përgjegjës, nuk do të cenonte atë mundësi, nuk do të cenonte datën për fillimin e negociatave me BE me zgjedhje të parakohshme dhe stopim të reformave. Republikën e Maqedonisë së Veriut e presin zgjedhje presidenciale të pastra, të drejta dhe demokratike, ku do të fitojnë qytetarët, do të fitojë LSDM-ja. Zgjedhje të drejta ku do të humbë VMRO-DPMNE-ja, ku do të humbin shkatërrimi dhe bllokadat”, tha Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Pas vendimit të LSDM-së, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i dërgoi një mesazh Zaevit nëpërmjet Facebook-ut.

“Zoran Zev dhe LSDM-ja ikën nga zgjedhjet, por jo edhe nga vullneti i popullit. LSDM-ja është në frikë dhe kaos. Shumë shpejt do të përballen me të vërtetën e mossuksesit të tyre. Sado që të ikësh Zaev, do të fitoj në zgjedhje parlamentare, andaj populli do të ju mundë, do ta kthejmë ndershmërinë e vendit tonë, Maqedonia do të fitojë”, u shpreh Hristijan Mickovski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Vendimin e LSDM-së e ka përshëndetur edhe partneri i koalicionit BDI dhe tha se tani është koha të intensifikojmë bisedimet për ta gjetur kandidatin konsensual.

“Kemi një kandidat, qoftë të jetë ky kandidat burrë apo grua, që do të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve, dhe të cilin do ta pranojnë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike, etnike apo fetare. Në lidhje me këtë pikë u zhvilluan bisedime mes Zaevit dhe Ahmetit para disa muajsh por edhe javën e kaluar, bisedimet në lidhje me zgjedhjet presidenciale do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, derisa të zgjidhet personaliteti më i mirë i cili do ta përfaqësojë Maqedoninë si president i të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Këshilli qendror i LSDM-së e ka obliguar kreun e partisë që të bisedojë me partnerët e koalicionit rreth mundësisë për gjetjen e një kandidati konsensual me të cilin do të kandidonin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 21 prill dhe më 5 maj.

Përgatiti: Zimer Jashari