LIGJET E REFUZUARA NGA IVANOV, XHAFERI: DO T’I RIKTHEJ NË PROCEDURË BRENDA AFATIT

0

 

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka reaguar pas mosdekretimit të 15 ligjevenga ana e presidentit të vendit Gjorge Ivanov. Sipas Xhaferit janë kthyer mbrapsht 12 ligje të votuara me shumice të thjeshtë dhe 3 ligje me 2/3 e votave .

“Në këtë situatë, ligjet që janë sjellë me shumicën prej 2/3 nuk mund të kthehen në procedurë parlamentare dhe të konsiderohet se janë të miratuara. Ligjet e tjera, sipas Rregullores, kam për detyrë që brenda 30 ditëve nga dita e sjelljes së ligjeve t’i kthej në procedurë parlamentare, respektivisht t’i vendos në seancë. Kuptohet se unë do ta respektoj këtë afat”, theksoi Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.

Xhaferi nuk përjashton mundësinë që parlamenti të thirrë sencë përpara 1 prillit kur dhe fillon fushata zgjedhore.

“Kjo situatë nuk predikon nevojën e patjetërsueshme që parlamenti të punojë edhe në muajin prill, gjatë procesit zgjedhor, gjegjësisht fushatës parazgjedhore. Për faktin që nevoja për rikthim të ligjeve për shqyrtim të tretë, obligim është që në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të rikthehen. Që nuk mund të prejudikohet që procesi i rivotimit të ligjeve të mbyllet në një ditë”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, në letrën dërguar kreut të kuvendit, thotë se nuk do t’i nënshkruajë ligjet që i miraton Kuvendi me emrin e ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut duke thënë se vepron sipas Kushtetutës së vendit. Për këtë ka reaguar edhe kreu i Qeverisë Zoran Zaev.

“Vendit tonë nuk i nevojiten bllokada nga arsye subjektive ose tjera të cilat mund të ekzistojnë për këto çështje. Besoj se do të gjenden zgjidhje”, tha Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kujtojmë se kreu i shtetit, nuk nënshkroi as Marrëveshjen e Prespës dhe ligjin për gjuhët, por ato u publikuan në Gazetën Zyrtare pa dekretin e tij.

Përgatiti: Zimer Jashari