LARJE PARASH PËRMES LOJËRAVE TË FATIT, GJOBË €80 MIJË PËR KAZINOT DHE BASTORET SPORTIVE

0

https://youtu.be/wFRfAA6St7o

“Lojërat e fatit paraqesin potencialin më të rrezikshëm për larjen e parave, në të cilin rast shtetet duhet  të zbatojnë masa për analizë të klientëve”. Kështu vlerësojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore lidhur me miratimin e Ligjit për parandalim të larjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas drejtori të Odës, Drilon Iseni, Ministria e Financave është përcaktuar për një qasje më restriktive ku parashihet ndalesa për pagesa me para të gatshme për mallra dhe shërbime në vlerë prej 2,000 euro ose më shumë. Në analizën e OEMVP shihet qartë se Maqedonia nuk është shërbyer me praktikat e BE-së, sepse aty vlera maksimale e pagesave me para të gatshme arrin vlerën prej 10,000 eurove.

“Për biznesin, rregullat kaq restriktive dhe ulje drastike e pragut të pagesave me para të gatshme prej 15.000 në 2.000 euro dukshëm do të vështirësojë bërjen e biznesit në vend. Ky konstatim është marrë në bazë të anketës së realizuar nga Zyra për Hulumtim dhe Zhvillim pranë OEMVP-së, prej ku 86,7% të anëtarëve e vlerësojnë këtë ligj si të dëmshëm në sferën e bërjes së biznesit”, tha Drilon Iseni, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.

Nga Ministria e Ekonomisë apelojnë që të shpeshtohen inspektimet në terren. TV21 kontaktoi Drejtorinë për zbulim financiar, por nga atje thanë se dy inspektorët e Repartit për parandalimin e larjes së parave janë në pushim vjetor. Ministri Bekteshi tha se kazinot dhe bastoret sportive duhet të respektojnë konkurrencën lojale.

“Me siguri që nuk është në rregull, duke parë impaktin negativ të këtyre bizneseve, apo thënë ndryshe lojërave të fatit, të cilat kryesisht janë të vendosura nëpër qendra të qyteteve. Njëkohësisht, dua t’ju njoftoj juve se unë jam një nga ministrat, i cili kam kërkuar që të rriten edhe inspektimet në këto objekte afariste. Jo vetëm për lojërat e fatit por në përgjithësi që me të vetmin qëllim që në Republikën e Maqedonisë fer konkurrencë për të gjithë biznesmenët”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i ekonomisë.

Nga OEMVP, thonë se Ligji për parandalim të larjes së parave dhe financimit të terrorizmit, i cili është në fuqi që nga data 7 korrik e vitit 2018 nuk duhet të asgjësojë ekonominë joformale, por duhet ta kthejë atë në formale me qëllim që veprimtaritë ilegale të bizneseve të paguajnë tatim dhe jo të shkatërrohen.

Drejtori Iseni tha se me ligjin aktual organizuesit e lojërave të fatit nuk janë të eksponuar ndaj këtyre rregullave që do të thotë se ata pagesat e klientëve nuk janë të obliguar t’i bëjnë nëpërmjet llogarive bankare, por me para të gatshme. Kjo sipas tyre iu jep mundësi edhe për larje parash, vepër e cila me ligj sanksionohet me gjobë prej 5 mijë deri në 80 mijë euro.

Përgatiti: Adnan Qaili