KRYETARI I BUTELIT NUK E MBAN PREMTIMIN, NXËNËSIT E RASHTAKUT BËJNË 1 ORË RRUGË NË KËMBË

0

“Duhet të zgjedhin prindërit e tyre, që me shkrim të kërkojnë tek komuna edhe tek shkolla të tregojnë se fëmijët e tyre do t’i kthejnë mujoret, dhe ne do të ua organizojmë transportin”, tha Velmir Smilevski Kryetari i Butelit.

Kanë kaluar dy muaj nga dita kur kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevski u premtoi zgjidhje nxënësve të Rashtakut që udhëtonin 1 orë për të arritur në shkollën fillore më të afërt. Mirëpo këtë premtin ai nuk e ka mbajtur. Përveç se nuk ka mbajtur premtimin, ai sot doli me deklarata kontradiktore duke thënë se nxënësit i kanë biletat mujore që duhej t’i kthenin si kusht që më pas të organizojnë transportin për nxënësit.

“Biletat mujore i kanë, por problemi është se tani kërkojnë që autobusi të qarkullojë tetë herë, dy herë t’i kthejë fëmijët që janë në ndërrim të parë dhe dy herë të ndërrimit të dytë. Për shkak se tenderi është pak më i madh nëse autobusët qarkullojnë kaq herë, prandaj do të duhet të presim deri në janar dhe këtë ta realizojmë në gjysmën e dytë të vitit shkollor”, u shpreh Velmir Smilevski Kryetari i Butelit.

Prindërti donin transport të organizuar dhe i kthyen të gjitha biletat mujore ashtu siç u kishte kërkuar kryetari i komunës. Por tani ata prej dy muajsh kanë mbetur edhe pa bileta mujore edhe pa transport të organizuar.

“Mujoret i kemi dorëzuar para 2 muajve, i kemi mbledhur krejt i kemi dorëzuar tek shkolla e bëmë edhe kërkesën. Tani fëmijët kanë mbetur edhe pa mujore edhe pa transport”, tha Bafti Islami Prind.

“Ne i bëjmë apel kryetarit të komunës dhe drejtorit të shkollës nëse nuk arrijnë të sigurojnë transport ne do të bojkotojmë mësimin dhe nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë”, u shpreh Vaid Alimi Prind.

Tv 21 tentoi të marrë përgjigje edhe nga drejtoresha e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski”, Rozalija Angellovska. Por ajo, me të parë kamerën e televiziont, u largua duke mos dashur të flasë për problemin me nxënësit e Rashtakut. Deri në fillim të gjysmë vjetorit të dytë, nxënësit e Rashtakut do të vazhdojnë të udhëtojnë në këmbë rreth 2 kilometra për të arritur në shkollë.

Përgatiti: Afrim Jonuzi