Kremlini: Erdogani shumë shpejtë do ta vizitojë Moskën

0

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shumë shpejtë do ta vizitojë Moskën që të bisedojë me shefin e shtetit rus Vladimir Putin, kumtoi sot Kremlini.

Në kumtesën e Kremlinit theksohet se për datën e saktë të vizitës së Erdoganit në Rusi ende nuk janë marrë vesh.
Rusia dhe Turqia janë nga faktorët kyç në konfliktin në Siri. Të dyja vendet vitin e kaluar në shtator janë marrë vesh për krijimin e zonave të çmilitarizuara në rajonet e linjës së frontit mes forcave qeveritare siriane dhe kryengritësve.

Marrëveshja e tillë mes Moskës dhe Ankarasë i detyroi autoritetet siriane që të heqin dorë nga ofensiva e planifikuar ndaj pozicioneve të kryengritësve në provincën Idlib.

Në konfliktin e Sirisë Rusia është aleate e autoriteteve në Damask, përderisa Turqia mbështet një pjesë të grupeve kryengritëse.