KOMEI “TRAMP MORALISHT I PAPËRSHTATSHËM PËR PRESIDENT”

0

Ish-drejtori i FBI-së e akuzon presidentin për moral dhe gënjeshtra

Ish drejtori i FBI-së, Xhejms Komei ka thënë se Donald Tramp është një person që moralisht nuk është i përshtatshëm për të qenë president dhe që i trajton femrat si “copa mishi”.

Këto komente Komei i bëri në intervistën e tij të parë televizive që kur u shkarkuar nga presidenti Tramp vitin e kaluar.  Ai i tha Ej Bi Si Njuz se Tramp gënjen vazhdimisht dhe se mund të ketë penguar drejtësinë. Disa orë para transmetimit të intervistës, presidenti Tramp u hodh në sulm duke akuzuar Komein për shumë gënjeshtra.

Komei tha për programin 20/20 të Ej Bi Si-së, mbrëmjen e së dielës se “nuk beson se presidenti është mendërisht i paaftë apo në fazat e para të çmendurisë.

“Nuk besoj se ai është mendërishtë i papërshtatshëm për të qenë president, por mendoj se ai nuk është moralisht i përshtatshëm për të udhëhequr vendin tonë“, tha ish-drejtori i FBI-së.

“Presidenti ynë duhet të gëzojë respekt dhe të aderojë në vlerat që qëndrojnë në thelb të vendit. Dhe presidenti ynë nuk është i tillë”, shtoi Komei.

Pas transmetimit të intervistës, partia e Trampit, përmes komitetit kombëtar republikan, lëshoi një deklaratë ku u tha se publiciteti i Komeit për librin e tij të ri  tregoi besnikërinë e lartë të tij ndaj vetëvetës. “E vetmja gjë më e keqe se vet historia e sjelljeve të këqija të Komeit është dëshira e tij për të thënë gjithçka me qëllimin për të thënë gjithçka vetëm e vetëm për ta shitur librin e tij”, u tha në deklaratën e republikanëve.