“JETË PËR KAFSHËT”, AKTIVISTËT SHTRIHEN PARA AUV-SË NË SHENJË REVOLTE

0

Ky është Leksi. Leksi ka mbetur pa këmbë. Ia kanë prerë pasi që një vozitës i papërgjegjshëm e ka shkelur këtë qen të vogël. Keqtrajtimi ndaj kafshëve është përditshmëri në vendin tonë, por askush nuk ndërmerr masa kundër aktorëve të këtyre veprave. Një numër i madh aktivistësh sot u shtrinë në rrugën para Agjencisë për ushqim dhe veterinari në shenjë revolti kundër padrejtësitë ndaj kafshëve por edhe kundër heshtjes së institucioneve. Ata derdhën ngjyrë të bardhë dhe të kuqe.

“Ngjyra e bardhë e simbolizon helmin që çdo ditë hidhet nëpër qytetet e Maqedonisë dhe kërkojmë që Agjencia të vendosë ndalesë për helmet, ndërsa ngjyra e kuqe është gjaku që e shohim çdo ditë nëpër rrugët nga kafshët e shkelura”, tha Tanja Kanturska, Aktiviste.

Aktivistët thonë se kohëve të fundit ka shumë raste  ku qytetarët vendosin helm në ushqimin e kafshëve me qëllimin për ti helmuar ato. Andaj, ata kërkojnë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari ta kryejë punën e saj, dhe të ndërmerr masa në lidhje me këtë gjë.

“Për fat të keq, statistikat tregojnë se personat që kanë keqtrajtuar kafshë, që e kanë helmuar apo e kanë vrarë, më vonë kanë vrarë edhe njeri, kanë lënduar njerëz dhe kanë bërë vepra të tjera devijuese”, u shpreh Kliment Arnaudov, Aktivist.

Ndalesë e plotë për shitjen e helmeve të rrezikshëm dhe kontrolle më të rrepta në barnatoret për produkte bujqësore, zbatim të plotë të ligjit për mbrojtje dhe mirëqenie të kafshëve, krijim të regjistrit të kafshëve endacak, burg për personat për të cilët do të ketë prova se kanë vrarë mace apo qen, janë vetëm disa nga kërkesat e aktivistëve. Në qoftë se nuk realizohen këto kërkesa, ata paralajmëruan bllokim të rrugëve nëpër qytet dhe grevë urie.

Përgatiti: Dançe Azmanova