ILAÇET ME RECETË MBAROJNË NË FILLIM TË MUAJIT, MUND TË MBETENI PA FRYMË DERISA TA GJENI FOSTERIN

0

Nuk guxoni të sëmureni kah fundi i muajit,  pasi pothuajse gjitha ilaçet me recetë të mjekut, mbarojnë në fillim të  muajit.

Shumë ilaçe që qytetarët duhet t’i marrin me recetë të mjekut mungojnë nëpër barnatoret e vendit. Disa prej barërave që gjenden në listën pozitive të Fondit Shëndetësor, por që mungojnë ose harxhohen shpejt janë:

Pompat Seretide, Spiriva dhe Foster – për probleme me frymëmarrjen

Glukofash – për diabet

Dilatrend – për probleme me zemrën

Mirapeksin – për të prekurit nga Parkinsoni

Përmes telefonit kontaktuam disa farmaci të Shkupit dhe kërkuam ilaçet e sipërpërmendura, por në të shumtën e rasteve ato mungojnë. Për shembull një barnatore pyetëm se a kanë “Foster”, ndërsa farmacistja pasi kontrolloi në sistem na u përgjigj:

Farmacistja 1: Në Shkup për momentin nuk ka. Jashtë Shkupit….

Gazetari: Do me thënë askund në Shkup nuk mund të gjej “Foster”?

F: Për momentin jo.

G: Me listë pozitive?

F: Po. Më paraqitet në Ohër, në Konçe, në barnatoret rurale.

G: E në Shkup a ka, pa recetë të mjekut?

F: Nuk ka, “Fosteri” vështirë. Edhe me vetëfinancim, duhet t’ua porosisin veçantë, askush nuk e mban rezervë”.

 

Të njëjtën metodë e përdorëm edhe me disa farmaci të tjera për disa ilaçe me recetë, por përgjigja ishte e njëjtë: “nuk ka”.

Farmcistja 2: Foster jo, nuk kemi.

Gazetari: As me recetë, as me vetëfinancim?

F: Nuk e kemi.

G: Deri kur kishte?

F: Këtë muaj nuk na ka ardhur.

Pompa “Foster” me recetë të mjekut kushton rreth 300 denarë, ndërsa nëse e blen me vetëfinancim kushton 3353 denarë. Pompa “Seretid” dhe “Spiriva” me recetë të mjekut kushtojnë 240 dhe 440 denarë por kur barnatoret nuk kanë me recetë, qytetarët duhet t’i blejnë mbi 2000 denarë.

 

 

  ME RECETË ME VETËFINANCIM
Foster 300 den. 3353 den.
Seretide 240 den. 2055 den.
Spiriva 440 den. 2104 den.
Dilatrend 103 den. 214 den.
     

 

Mungesa e këtyre ilaçeve bën shpesh që qytetarët të reagojnë nëpër rrjete sociale dhe t’i kërkojnë zgjidhje Fondit për Sigurim Shëndetësor.

“Nëpër barnatore kontrollon çdo ditë dhe merr të njëjtën përgjigje – “ende nuk e kemi marrë për këtë muaj”. Mos ndoshta duhet që muaji të mbarojë? E çfarë të bëjmë që terapinë duhet ta marrë patjetër”?

Nga Drejtori i Fondit Den Don­çev kërkuam që para kamerës të na sqarojë për mungesën e ilaçeve dhe shpërndarjen e kuotave për farmacitë, por na tha se nuk dëshiron të flasë për këtë sepse javën e ardhshme parashihet që  pikërisht për këtë temë të mbahet një konferencë.

Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paralajmëron që në fuqi do të hyjë një model i ri për shpërndarjen e kuotave, e që beson se nga kjo do të jenë të kënaqura të gjithë ata që kanë barnatore.

“Tashmë ka një model që duhej deri më tani të zbatohej megjithatë shtyhej sepse konsiderohej që duhej që absolutisht të gjitha barnatoreve t’u vihej në ndihmë. Vendi nuk mbulohet në mënyrë të barabartë me barnatore, diku kemi përqendrim shumë të madh ndërsa në vendet më të largëta ka barnatore që përfshin më shumë pjesë të vendit. Kështu që u gjet një model që besoj se shumë shpejt do të zbatohet, diku nga fillim viti i ardhshëm”, tha Venko Filipçe, Ministër i shëndetësisë.

Ila­çet me recetë zakonisht mbarojnë që në fillim të muajit, ndërsa i marrin ata që kanë fat t’i gjejnë, përndryshe do të duhet ta paguajnë me vetëfinancim ose të marrin ndonjë ilaç zëvendësues në vend të atij që ia ka shkruar mjeku.

Përgatiti: Besir Arifi