HOLANDA PRO FILLIMIT TË BISEDIMEVE PËR ANËTARËSIM, KOCIJANÇIQ: KE KA REKOMANDUAR FILLIMIN E NEGOCIATAVE

0

https://youtu.be/seLtU63ATqo

Në Raportet e progresit të këtij viti të komisionit Evropian për Maqedoninë dhe Shqipërinë do të propozohet fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE. Këtë  e njoftoi zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, e cila theksoi se integrimi i rajonit në BE është i rëndësishëm për rajonin dhe vet BE-në. Siç tha ajo, puna e tyre është kryer, tani vendimi i mbetet Këshillit të BE-së.

“Komisioni ka publikuar raportet dhe ka vendosur rekomandimet dhe ne kemi rekomanduar deri tek  Këshilli që të hapë negociata me të dyja shtetet, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Vendimi është tani tek Këshilli, tek vendet anëtare dhe tek BE. Ne me të vërtetë kemi rritur angazhimin me rajonin dhe integrimi i rajonit është i mirë për rajonin dhe për Evropën dhe sigurinë e saj”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e KE-së.

Kocijançiq njoftoi se raportet e progresit do të diskutohen edhe në javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, ku gjithashtu  do të diskutohet për çështjen e zgjerimit të BE-së.  Në ndërkohë parlamenti Holandez mbrëmë ka dhënë dritë jeshile për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE, ndërsa ka votuar kundër hapjes së bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE-së. Nga ambasada Holandeze theksojnë se Holanda përshëndetë zhvillimet pozitive të Maqedonisë.

“Holanda përshëndetë zhvillimet pozitive në Maqedoni dhe marrëveshjen historike për emrin. Më 21 qershor kishte një debat në Parlamentin Holandez në të cilin u rikonfirmua parimi i qasjes së drejtë dhe strikte kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Vendimin do ta marrë këshilli i BE-së javën e ardhshme”, nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës.

Kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet Franca, ambasada e së cilës thotë se kjo situatë është shumë e ndjeshme.

Përmes një përgjigje me shkrim, ambasada e Francës theksoi se vendimin përfundimtar do ta shpalosë vet presidenti francez, në samitin e Këshillit Evropian më 29 qershor.

“Bisedimet në Bruksel janë në vijim dhe rrjedhë e sipër, ndërsa qëndrimin përfundimtar francez do ta shpallë kryetari i Francës z. Emanuel Makron, gjatë Këshillit të BE-së më 29 qershor”, nga Ambasada e Francës.

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerisnka theksoi se vendimi i tillë i parlamentit të Holandës, që është ndër vendet më rigoroze në aspekt të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, konfirmon edhe njëherë punën e madhe dhe rezultate që ka arritur Maqedonia në aspekt të integrimit të NATO dhe BE. Siç thotë ajo, brenda 12 muajve, Maqedonia arriti të shndërrohet nga shtet që paraqiste frikë për rajonin, në shenjë për ndryshime pozitive.

“Për vetëm 12 muaj Maqedonia nga një shtet që paraqiste frikë, pengesë dhe vëmendje tek Bashkimi Evropian, u shndërrua në një shtet që përmendet si shenjë e vetme për ndryshime pozitive dhe optimizëm në Ballkan. Për këtë arsye vlerësoj se puna dhe përkushtimi nuk mund të mbesin të pa vërejtura. Puna jonë vazhdon edhe në drejtim të përmirësimit të pikëpamjeve të të gjitha shteteve anëtare, sidomos në aspekt të Francës”, tha Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Zëvendëskryeministrja tha se rezultatet nga puna e tyre flasin fuqishëm për punën që kanë bërë dhe për këtë arsye gëzojnë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Përgatiti: Bajram Memeti