HERONJTË F. LLASKARCË QË SHPËTUAN UDHËTARËT, SEDAT QAZIMI RRËFEN TMERRIN E TË GJALLËVE DHE TË VDEKURVE

0

“Ajo çka pamë ne mbrëmë, ishte tmerr. Ishim në mesin e njerëzve të gjallë, dhe njerëzve të vdekur. Një numër prej tyre, i kemi nxjerr vet ne…

Kështu nis rrëfimin i përlotur Sedat Qazimi nga fshati Llaskarc, i cili i tëri u ngrit në këmbë të mërkurën pas orës 17h për të ndihmuar dhe shpëtuar sa më shumë udhëtarë të autobusit, Durmo Trans, i cili rrugës nga Shkupi për Gostivar, humbi kontrollin dhe shkaktoj vdekjen e të paktën 14 udhëtarëve.

Në mëngjes, Sedati kishte dal për të parë sërish skenën e cila e la pa gjumë tërë natën atë dhe familjarët e tjerë nga trauma që përjetuan duke ndihmuar mbi 30 të ngujuar poshtë autobusit.

“Është pak vështirë të përshkruhet me fjalë ajo që kemi parë! Kemi parë njerëz të cilët i kishte kap autobusi prej në mes, deri tek këmbët. Por kishte të tillë, që krytë e kishin nën autobus, dhe nuk kishin shenja jete më. Ata që kishin mbijetuar, u dhamë ndihmë aq sa kemi pas mundësi. Dikujt i dhamë ujë, dikujt ia lamë sytë! Kjo ishte! Nuk mund të përshkruhet ndryshe me fjalë! Nuk mund të përshkruhet”, tha Sedat Qazimi, dëshmitar i ngjarjes.

Sedati bashkë me të tjerë, thotë të ketë kërkuar ndihmë nga banorët e Bojanës dhe Zhelinës për të sjell eskavator të posaçëm për ta ngrit pezull autobusin e përmbysur në tavan, i cili u rrëzua nga autostrada në lartësi prej mbi 5 metra, dhe përfundoj në arat e fshatit Llaskarc.

“..nga të dyja anët ka pas njerëz në dritare! Edhe nga të dyja anët i ka zënë udhëtarët! Do të thotë, nuk kishim mundësi ta shtyjmë autobusin, as në të majtë e as në të djathtë! E vetmja mënyrë ishte që të ngritet autobusi dhe të nxjerren udhëtarët….Unë vet kam hy brenda në autobus, dhe i kam liruar. Dikujt këmbën, dikujt krahun. Varet se si ishin të ngujuar. Derisa i kemi nxjerr jashtë”, u shpreh Sedat Qazimi, dëshmitar i ngjarjes.

Sedati bashkë me fshatarët e tjerë, kanë nxjerr fillimisht trupat e pajetë dhe i kanë vendosur anash në pritje të ndihmës së shpejt.

Ndërsa më pas, kanë vazhduar me shpëtimin e të ngujuarve dhe të shtypurve Brenda në autobus.

“Lëndimet kanë qenë, shumica e tyre në kokë. Shumica kanë qenë të shtypur në kokë, dhe aty për aty, ata kanë ndërruar jetë. Ka pas të shtypur edhe në trup! I kam parë, edhe të premë në barkë…tash autobusi është në krah! Kjo pjesa këtu që duket tash, ka qenë shumë e shtypur. Të gjithë që kanë dal në xham, ata në mes i kishte zënë xhami…Shumica prej udhëtarëve që kanë qenë brenda, ndoshta kanë qenë të lënduar, por kanë qenë me shenja jete. Ata të cilët kanë dal jashtë, do të thotë, ata i ka zënë krejt. Dhe një numër prej atyre, janë krejt, që janë të vdekur”, tha Sedat Qazimi, dëshmitar i ngjarjes.

Ai rrëfen që bashkë me banorët e tjerë të fshatit Llaskarc, posa nxorën viktimat e para të zëna nën autobus, nisën t’i transportojnë udhëtarët për në spital.

Sadati në fund i shprehu keqardhje për atë që përjetuan të mbijetuarit e kësaj tragjedie, ndërsa ofshan kur kujton se çfarë ka parë ai mbrëmë gjatë shpëtimit të dhjeta udhëtarëve të ngujuar për një orë nën rrënojën e autobusit.