HEDHJA E NGJYRËS NË SELINË E VMRO-DPMNE-së, NËNTË PERSONA U ARRESTUAN PAS PROTESTAVE TË MBRËMSHME

0

https://youtu.be/puiRBz1zlzg

Nëntë persona janë arrestuar në aksionin policor pas protestave të mbrëmshme kundër Marrëveshjes së arritur me Greqinë, pasi që disa persona të maskuar kanë goditur me gurë drejt kordonit të policisë. Gjatë bastisjes në disa lokacione, policia ka gjetur mjete piroteknike.

 

Gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për mirëmbajtjen e rendit dhe paqes, dhe pas kontrollit të bërë ndaj disa personave në disa lokacione në qendrën e Shkupit, janë arrestuar nëntë persona tek të cilët policia ka gjetur mjete piroteknike, boks hekuri, thikë, maska, maska mbrojtëse me filtër dhe sende të tjera.

 

Pas protestave, mbrëmë disa persona kanë hedhur ngjyrë të kuqe drejt shtabit qendror të VMRO-DPMNE-së. MPB-ja thotë se po punon në zbardhjen e rastit. Nga partia sot akuzuan se incidentin e ka organizuar dikush nga radhët e LSDM-së me disa persona në një lokal të njohur të Shkupit, të cilët tashmë kanë dosje në polici.

 

“Sipas informacioneve tona jozyrtare, ata persona i kanë bindur që të infiltrohen në protestat për emrin dhe të shkaktojnë dhunë për të cilën do të akuzohet VMRO-DPMNE-ja, me qëllim që kjo parti të prezantohet para opinionit publik si parti që nuk është konstruktive, por e dhunshme, gjithashtu të degradohet lufta jonë kundër marrëveshjes së dëmshme të cilën e nënshkroi Zoran Zaev në Prespë”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

 

Nga LSDM-ja e dënuan sulmin. Nga kjo parti mohojnë çfarëdolloj lidhshmërie me këtë incident.

 

Si parti e përgjegjshme, hedhim poshtë çfarëdolloj lidhshmërie me këtë rast, LSDM nuk mund të jetë fajtor për fraksionet brenda partisë opozitare.

 

Me qëndrim në lidhje me incidentin e hedhjes ngjyrë mbi godinën e shtabit të VMRO-DPMNE-së, dolën edhe nga partia e Janko Baçevit, Maqedonia e Vetme. Ata e këshillojnë partinë opozitare të mos hetojnë se kush ka hedhur ngjyrë, për shkak se, siç thuhet në kumtesën e kësaj partie, do ta zbulojnë të vërtetën e tmerrshme se selinë e DPMNE-së e ka njollosur vetë VMRO-ja.

 

Përgatiti Mihajllo Vidimliski