“Golden Globe 2019”/ Kush u vesh më bukur dhe kush “dështoi”

0

Në tapetin e kuq këtë edicion të 76-të të ndarjes së çmimeve nga “Hollywood Foreign Press Association” magjia e pamjes së yjeve erdhi për publikun mes kristaleve, shkëlqimit e ngjyrave të ngrohta duke marrë ndoshta vëmendjen kryesore.
Sigurisht që përtej look-ut mesazhet e “Golden Globe 2019” qenë të shumta, si ai i Alfonso Cuàron, i shpallur regjisori më i mirë për “Romën” që ka kujtuar, atëherë kur më shumë ishte e nevojshme se “kinemaja është bërë për të ndërtuar ura dhe për të rrëzuar muret”.

Lady Gaga rivesh fustanin “Valentino”

Sytë e të gjithëve ishin padyshim mbi Lady Gaga-n, e cila me “A star is Born” arriti jo vetëm të fitojë statujën për këngën më të mirë të vitit, por përmes kandidaturave si aktorja më e mirë në komedi dhe muzikal, pati edhe një rikonfirmim të emrit të saj në historinë e yjeve të kinemasë botërore. Sigurisht që nuk mund të kalonte pa u vënë re fustani përrallor i firmës “Valentino”, të cilën artistja e kishte veshur edhe më herët në Bienalen e Venecias për Kinemanë gjatë shtatorit të shkuar për premierën e filmit. Një fustan që e ka bërë të klasifikohet në listën e yjeve të veshur më mirë në 2018-ën. Një fustan që shumë e konsideruan si një homazh për Judy Garland, që para Gaga-s, në 1954-ën, ka qenë interpretuesja e “A star is born”, dhe ajo në film vishte një fustan tepër të ngjashëm me atë që artistja u përfaqësua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Si gjithmonë ekstremiste në paraqitjen e saj, kësaj here pyetjet ngrihen rreth modelit të flokut të Lady Gaga-s, që kishin të njëjtën ngjyrë me atë të fustanit, duke e bërë të ngjasojë ndjeshëm me personazhin “Zana Turkina” në filmin “Pinoku”. A është kjo një mënyrë që artistja ka zgjedhur për t’u autokandiduar për këtë rol në versionin që regjisori Matteo Garrone po përgatit për “Pinokun”?

Personazhet më “chic” të ceremonisë

Ndër personazhet që tërhoqën vëmendjen për veshjen e tyre nuk mund të mos përmendim triumfuesen Glenn Close, hieratike në Armani, Claire Foy, si një kanarinë delikate veshur nga “Miu Miu”. Mandej Nicole Kidman, që mundi të jetë tepër joshëse pa qenë nevoja të tregonte as një centimetër nga trupi i saj. Po ashtu për t’u përgëzuar janë Rosamund Pike, që ndoshta tregoi pak më shumë se kolegia dhe Alison Brie, e cila meriton përsa i përket pamjes duartrokitjen më të fortë të mbrëmjes “Golden Globe 2019”.

‘Look’ i gabuar?! Ja personazhet e diskutuar

Ashtu siç e do tradita, nuk munguan gjatë ceremonisë “Golden Globe 2019” edhe hapat e gabuar’ të bëra nga yjet e Hollywood-it. Më i diskutuari ka qenë ai i Elizabeth Moss, e cila mbante veshur një lloj “smoking-dress” të shkurtër (ndoshta shumë) që sipas zërave kritikë të modës nuk ishte aspak i përshtatshëm për të. Veshja më e pajustifikueshme është konsideruar ajo e Amber Heard, e cila mesa duket tanimë ja ka marrë dorën ripropozimit të viteve ’80, duke mos qenë aspak në harmoni me modën dhe rastin. Gjatë ndarjes së çmimeve ajo kishte zgjedhur një krijim bardhë e zi të Monique Lhuillier që gati vë në rrezik konsideratën e publikut për të. Veshja më absurde?! Ajo e Elsie Fisher, që ndoshta nuk kishte kuptuar mirë se ku ishte duke shkuar. Doni të dini se kush e ekzagjeroi më shumë? Padyshim Janelle Monàe, e cila sipas stilistëve ka dështuar tërësisht kësaj here duke risjellë një version të Kleopatrës. Qëndrimet kanë qenë sa të ndryshme edhe kontrastuese përsa i përket veshjes së Julia Roberts, e cila zgjodhi të luaj duke veshur një “combo” disi të çuditshme që varionte mes fustanit ‘nude’ dhe pantallonave mashkullore. Veshja mbante firmën e “Stella Mçartney”.