GJYKIMI PËR RASTIN E PPS-SË “SHËNJESTRA-FORTESA”, KOSTOVSKI: GRUJOVSKI KËRKOI TA SHKATËRROJ SISTEMIN E VJETËR PËR PËRGJIM

0

Vazhdoi gjykimi për rastin e PPS-së “Shënjestra-Fortesa” që është në fazë të dëgjimit të dëshmitarëve.  Në seancën e sotme u morr në pyetje dëshmitari i dytë i prokurorisë, Zvonko Kostovski, inxhinieri i cili së bashku me ddëshmitarin e parë Gjorgji Llazarevskin i ka nxjerrë materialet e përgjuara nga MPB. Përgjimi ilegal në DSK, sipas tij është bërë sipas një sistemi të caktuar. Zvonko Kostovski,  shtoi se përgjimet janë ndarë në disa kategori të ndryshme.

Kishte disa kategori të ndryshme të numrave të cilët përgjoheshin. Përveç atyre për të cilët kishte urdhër nga Gjykata, kishte edhe disa grupe të ndryshme të përgjimeve. Të parët ishin funksionarët e LSDM-së, pastaj gazetarët, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit dhe persona të cilët janë përgjuar për nevoja operative, tha Zvonko Kostovski, dëshmitar në rastin “Shënjestra-Fortesa”

Kostovski, në dëshminë e tij akuzoi se drejtori i atëhershëm i DSK-së, Goran Grujovski gjatë ndërrimit të sistemit të përgjimeve, nga sistemi i vjetër VERNIT, i cili kishte funksionuar që nga viti 1999 deri në vitin 2008, për të futur në funksion sistemin e ri NAJS në vitin 2009, i kishte urdhëruar atij që të shkatërrojë sistemin e vjetër.

Kur u largua nga përdorimi sistemi i vjetër, Grujovski insistonte që të shkatërrohen hard-disqet e vjetra. Unë i thash nuk mundet të bëhet një gjë e tillë pasi që ka procedurë gjyqësore në vijim, por ai edhe më tutje insistonte.  Kërkoi nga unë që t’i them personit përgjegjës për kamerat e sigurisë që t’i shkyçë ato, e unë t’i marr hard-disqet dhe t’i shkatërrojmë, e për këtë të mos kuptojë askush, por unë një gjë të tillë nuk pranova ta bëj, tha Zvonko Kostovski, dëshmitar në rastin “Shënjestra-Fortesa”

Dëshmitari Kostovski, shpjegoi se gjatë viteve 2008-2009 në DSK kanë punuar dy sisteme për përgjim, ai VERNIT dhe NAIS, ndërsa kjo gjë është bërë për të parë nëse sistemi i ri i kënaq nevojat e MPB-së.
Sipas akuzës së PPS-së,  përmes sistemeve për përgjim të komunikimeve në DSK, gjatë periudhës kohore 2008-2015 në mënyrë ilegale janë përgjuar rreth 5 mijë numra telefonik, ose më shumë se 20 mijë qytetarë.

PËRGATITI: ARMEND GASHI