GJUKANOVIQ SHPALL FITOREN NË ZGJEDHJE, E QUAN FITORE TË RËNDËSISHME PËR TË ARDHMEN EVROPIANE TË VENDIT

0

Millo Gjukanoviq, i cili ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe një herë president, ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi dhe ka  thënë se fitorja në zgjedhjet e së dielës është “edhe një fitore e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Malit të Zi”.

Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se Qendra për Monitorim dhe Hulumtim  dhe sondazhet e pavarura, kanë thënë se Gjykanoviq ka fituar rreth 54 për qind të votave dhe se, rivali i tij kryesor, Mlladen Bojaniq ka fituar rreth 33 për qind të votave.

Duke pranuar rezultatin, Bojaniq ka thënë se “Mali i Zi ka zgjedhur atë që ka zgjedhur”, por ka shtuar se fitorja e Gjukanoviqit është si rezultat i “presionit dhe shantazhit”, dhe se ai do të vazhdojë të “luftojë për të çliruar Malin e Zi nga Gjukanoviqi dhe diktatura e tij”.

Votimet e 15 prillit janë cilësuar si vendimtare për Malin e Zi, lidhur me atë nëse do të vazhdojë në kursin e saj perëndimor drejt anëtarësimin në Bashkimin Evropian ose do të kthehet mbrapa në orbitën e Rusisë.